Mesazhi nga CDU e Merkel: Merrni në dorë fatet e vendit

Kryetari i të Rinjve Kristian Demokratë gjermanë, Paul Zimiak i është bashkuar të dielën protestës në sheshin e lirisë dhe u ka bërë thirrje shqiptarëve që marrin fatet e vendit në duar duke dhënë mbështetje të plotë nga Gjermania për ata që luftojnë për kauzën e zgjedhjeve të lira.
Zimiak është një nga drejtuesit e partisë së kancelares Merkel. Mesazhi i tij është një nga mesazhet më të fortë që është dhënë gjatë këtyre 9 ditëve të protestës qytetare që kërkon garantimin e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e një qeverie teknike.
Në asnjë rast drejtuesit e një force politike si ajo kristiandemokrate gjermane nuk mund të japin mesazhe mbështetjeje për një kauzë dhe një lider politik pa patur më parë një vijë të qartë politike të miratuar nga kryetarja Merkel. Zëri i tij që pritet të pasohet edhe nga zëra të tjerë të mbështetjes gjermane për protestën qytetare në Shqipëri janë tregues i mbështetjes ndërkombëtare që ka fituar kauza e protestës në sheshin e lirisë.
“Nëse doni një vend ku secili mund të votojë atë që dëshiron, atëherë duhet të mbështesni Lulzim Bashën. Ju që jeni sonte në këtë shesh, ju jeni sovrani i Shqipërisë”, u shpreh Zimiak. Deklarata e drejtuesit të të rinjve kristiandemokratë gjermanë janë pritur me ovacione të forta në çadrën e lirisë mbrëmjes e së dielës. Atmosfera ka qenë elektrizuese dhe është shoqëruar me thirrjet për vendosmëri në protestë.
Kryetari i të Rinjve Kristian Demokratë gjermanë, Paul Zimiak dhe kryetari i Unionit të të Rinjve të djathtë në Europë, Javier Hurtado Mira ishte të dielën në sheshin e lirisë për të mbështetur protestën popullore për zgjedhje të lira e të ndershme.
Paul Zimiak, kryetar i të rinjve kristiandemokratë të Gjermanisë u shpreh:
“Erdha këtu për të mbështetur të gjithë ata që luftojnë për lirinë e votës dhe shtetin e së drejtës. Shoh shumë të rinj dhe jeni këtu sepse shqetësoheni për të ardhmen e vendit tuaj. Gjermania, Europa dhe tërë bota kërkon të dëgjojë zërin tuaj. Ne i luftojmë ata që duan të mbrojnë korrupsionin dhe mbrojmë e mbështesim ata që luftojnë për liri dhe zgjedhje të lira. Ka ardhur koha të ngrini zërin e të merrni në duar fatin e vendit tuaj. Duhet të pyesni veten, çfarë të ardhme kërkoni për Shqipërinë? Doni një vend ku kriminelët kanë më shumë të drejta se njerëzit e thjeshtë apo doni një vend me shtet të së drejtës që mbështet njerëzit e thjeshtë punëtorë dhe u jep mundësi të gjithëve. Nëse doni një vend ku secili mund të votojë atë që dëshiron, atëherë duhet të mbështesni Lulzim Bashën. Ju që jeni sonte në këtë shesh, ju jeni sovrani i Shqipërisë”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e falënderoi z. Zimiak për mbështetjen dhe ndau me qytetarët e pranishëm një detaj, “që edhe pse kreu i të rinjve kristiandemokratë gjermanë pret të bëhet baba, ai erdhi sot këtu mes të rinjve shqiptarë”.
Kryetari i Unionit të të Rinjve të Djathtë Europianë, Javier Hurtado Mira u shpreh:
“Mos e lëshoni betejën kundër kriminelëve në Parlament. Keni detyrën t’i tregoni Europës se Shqipëria është një vend i pastër, siç jeni ju këtu sot, siç jemi ne. Ne jemi miq jo vetëm të të djathtës, por të Shqipërisë, të njerëzve që duan demokracinë. I kërkoj Edi Ramës të lërë qeverinë dhe i kërkoj Ilir Metës të ushtrojë përgjegjësitë e tij, nëse është socialist i vërtetë. Nuk mund të lejoni që kërcënimet ndaj votës, ndaj lirisë të përsëriten sot në vitin 2017 në mes të Europës, këtu në Shqipëri. S’duhet të keni frikë, frika na mban në shtëpi, vetëm siç jeni këtu sot do të arrini fitoren. Duhen zgjedhje të lira e të ndershme dhe duhen garanci të plota për këtë. Ne do t’i kërkojmë Europës dhe ambasadave tona këtu, që të hapin sytë e të shohin çfarë po ndodh, sepse kjo që po ndodh është dramatike, ky vend s’mund të jetë i mbytur në drogë e krim”.
Lulzim Basha tha se kjo është mbështetja kuptimplotë që Europa e lirë, e njerëzve të lirë, i jep kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzës së qytetarëve shqiptarë për një Republikë të re të lirisë, të demokracisë së vërtetë për çdo shqiptar.
“Mesazhi i sotëm, mesazhi që vjen nga miqtë tanë gjermanë, europianë dhe mesazhet që erdhën mbrëmë nga përtej Atlantikut tregojnë se konsensusi qytetar është një konsensus ndërkombëtar. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje të tjera nuk do të ketë. Faktet janë me ne, e drejta është me ne, shumica është me ne, Zoti është me ne, fitorja do të jetë e Shqipërisë”, tha Basha.