Ballina Politikë Mediu: Nuk ka zgjedhje pa qeveri teknike

Mediu: Nuk ka zgjedhje pa qeveri teknike

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh për mediat se qeveria teknike  ishte e vetmja mundësi për të siguruar që zgjedhjet e 18 qershorit nuk do të vidhen. Ai tha se vetëm falë qeverisë teknike do të mund të shmangin prekjen e votave nga banda dhe qeveria e lidhur me krimin. Kryetari i PR-së u shpreh gjithashtu se vëmendja dhe mbështetja e ndërkombëtarëve karshi kësaj proteste ishte shtuar. “Kemi vëmendje të shtuar të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Kemi një qeverisje që nuk ka asnjë përgjegjësi për të qeverisur vendin. Kanë një tendencë për të kontrolluar përmes manipulimit dhe krimit. Përpara demonstratës kemi pasur një qëndrim të hapur të dy kongresmenëve të OSBE-së që kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri”, tha Mediu. Në lidhje me krijimin e qeverisë teknike, Mediu tha se, “të gjithë ndërkombëtarët i shohin si detyrim zgjedhjet e lira e të ndershme. Kjo edhe për shkak se jemi vend anëtar i NATO-s. NATO është dhe familje politike jo vetëm ushtarake dhe kanë si parim, lirinë për të zgjedhur. Qeverisja teknike shmang lidhjet e qeverisë me krimin, kontrollin e bandave dhe kështu mund të kemi zgjedhje të lira. Nuk do i kushtonte asgjë PS-së po të kishim qeveri teknike se kështu sigurohen zgjedhjet e ndershme”. Kreu i PR tha se, forca është në dorë të qytetarëve që e treguan fuqinë e tyre dhe kjo dukej nga pjesëmarrja jo vetëm nga mbështetësit e PD, por edhe ata që janë skeptikë me qeverisjen e Ramës. “Pas kësaj proteste, ka plot njerëz të grupeve të ndryshme që vijnë në çadër që t’u dëgjohet protesta. Sigurisht që ka nevojë për marrëdhënie të tjera, dhe këtë kemi folur dhe me kryetarin Basha. Ne kemi vendosur të mos shkojmë në zgjedhje pa një qeveri teknike. Ata do të vjedhin zgjedhjet dhe për këtë do të përdorin miliarda euro. Projektin pilot e përdorën në Dibër, do e përdorin tani”, u shpreh kreu i PR. I pyetur në lidhje me bojkotin e Parlamentit, Mediu tha: “Ne hymë në Reformën Zgjedhore dhe besuam se me mazhorancën do bëjmë Vettingun, dhe menduam se dhe ligjet do t’i bënim sëbashku. Por kjo u flak tutje, dhe filluan vendimet e njëanshme. Kemi treguar që ky nuk është proces Vettingu, por këtë proces e do Rama që të kontrollojë gjyqësorin, dhe nuk e themi vetëm ne, por kjo flitet edhe vetë brenda mazhorancës. Ky duket që është një proces i nisur e i kapur. Rama po rikthen diktaturën komuniste, kur njerëzit i largonin nga puna, i burgosnin, i internonin, apo dhe eliminonin”. Ai thekson se, “protesta duhet të vazhdojë në mënyrën si është organizuar. Opozita ka krijuar një marrëdhënie solide me qytetarët dhe do të ketë zhvillime të mëtejshme. Dhe do të kemi mbështetje akoma më të madhe të ndërkombëtarëve”.

Exit mobile version