Ballina Politikë Malltezi: Sheshi “Skënderbej” po betonizohet pa asnjë leje dhe pa asnjë...

Malltezi: Sheshi “Skënderbej” po betonizohet pa asnjë leje dhe pa asnjë plan

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka akuzuar se protesta e Partisë Demokratike po bllokon trafikun. Ndërkaq në një intervistë për “Boldnews”, kreu i Departamentit të Pyjeve, Mjedisit dhe Turizmit pranë Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi, ka argumentuar mungesën e bazës së akuzave të kryebashkiakut Veliaj në lidhje me protestën që po zhvillohet në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Gjithashtu Malltezi ka ngritur pikëpyetje për efikasitetin e rrjetit të transportit publik të Bashkisë së Tiranës, si edhe problematika të tjera që lidhen me punimet në Sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë, duke theksuar rrezikun që përbëjnë bandat kriminale për votat e partive të reja, Malltezi inkurajon një dialog të kulturuar midis forcave politike, pavarësisht mendimeve ndryshe, që është në interesin zhvillimor të vendit.
-Zoti Malltezi, kryebashkiaku Veliaj ka akuzuar se protesta e Partisë Demokratike po pengon trafikun. Në njohjen që keni për qytetin e Tiranës, cili është ndikimi që ka në trafikun e Tiranës bllokimi i një pjesë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku po zhvillohet protesta?
Nuk është as e ndershme dhe as serioze të tërheqësh vëmendjen e publikut në çështje dytësore kur thelbi është se bandat e krimit dhe të trafiqeve po sundojnë vendin dhe tjetërsojnë vullnetin e njerëzve. Sipas kësaj qeverisjeje nuk ka asnjë rëndësi as programi elektoral, as premtimet, as niveli intelektual i përfaqësuesve, por vetëm kush ka bandat e krimit të organizuar dhe paratë me vete për të shpërfillur çdo premtim, shpërfillur çdo njeri dhe prapë të qëndrohet në pushtet. Kjo është shumë e rëndë dhe trishtuese për nivelin e vendit. Nga ana tjetër, përse i përket çështjes së trafikut, ka të paktën 3 arsye pse argumenti i z. Veliaj është i pasinqertë. Së pari, zoti Veliaj ishte ndër bllokuesit e trafikut përmbi një muaj para disa vitesh dhe atëherë nuk kishte as ndonjë argument të qenësishëm, përveç nevojës se zoti  Rama për të mos u larguar nga Partia Socialiste si humbësi i zgjedhjeve. Deri më sot as z. Rama dhe z. Veliaj nuk kanë kërkuar ndjesë për atë veprim. Së dyti, z. Veliaj ka 4 muaj që ka shkaktuar kaos në trafikun e Tiranës, duke bllokuar dhe betozinuar Sheshin “Skënderbej” pa asnjë leje ndërtimi që është vepër penale. Në Sheshin “Skënderbej” kalonin 4-fishi i makinave që kalojnë në zonën e bulevardit të bllokuar nga protesta. Atëherë kush ka sakatuar trafikun pa leje dhe pa asnjë plan paraprak dhe asnjë modelim trafiku? Së treti, pse nuk hapet unaza e madhe? Ka 4 vjet dhe ende nuk kanë mbaruar 1.5 km rrugë? Kaq dëshpërues janë? Unaza e madhe ka mbaruar, por mbahet e pahapur vetëm që të presë një shirit zoti Rama sa më pranë zgjedhjeve, që të thotë se të paktën bëri 1 km rrugë. Çfarë taksirati kanë qytetarët që mund të shmangin gjithë trafikun e qendrës, nëse do ishte hapur unaza e madhe? Për këto tri arsye të mësipërme, pretendimi i zotit Veliaj njihet si “harenga e kuqe”, pra tentativa për të paraqitur diçka të parëndësishme si problemin kryesor.
-Kryebashkiaku Veliaj ka bërë thirrje për përdorimin e transportit publik për të lëvizur në tërësinë e Bashkisë së Tiranës. Çfarë ndikimi real ka bllokimi i një pjese të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në sistemin e transporti publik në Tiranë?
Transporti publik duhet përmirësuar me të gjitha format e tij dhe jo veç linjat e autobusëve që shtrenjtoi biletat. Kur themi transport publik duhet nxitur edhe trami, projekti i të cilit është hartuar prej 3 vitesh dhe mbahet në sirtar. Pse nuk zbatohet projekti i tramit? Në sirtar po fle edhe projekti ambicioz i Terminalit të Pasagjerëve multimodal të Tiranës. Përpara se të ndërhyhej për kthimin e Sheshit “Skënderbej” në një tepsi betoni do të duhej kryer një modelim trafiku dhe duhej parë edhe mundësia e integrimit të një metroje në gjatësinë dhe drejtimin sipas një studimi paraprak fizibiliteti. Pra, nuk ka një qasje strategjike, por një qasje për fasadë dhe për pasojë edhe argumentet që synohen të paraqiten nuk janë fort të ndershme.
-Në njohurinë tuaj si studiues i çështjeve të transportit urban të Tiranës, sa efikas është sistemi aktual i linjave dhe shërbimi i transportit publik?
Nuk dëshiroj të bëj ekspertin për fusha që nuk kam ekspertizën e duhur si për shembull transporti, prandaj mendoj që do duhet të flasin së pari, me dhjetëra inxhinierë transporti. Por është e qartë, që ka shumë probleme dhe nevojitet një qasje strategjike, modelim trafiku dhe përzgjedhje investimesh prioritare. Por nëse betonizohet Sheshi “Skënderbej” pa leje dhe pa plan, kjo vonon dhe shtrenjton më shumë projektet e mëpasshme dhe sjell keqpërdorim të financave publike. Për më tepër, trafiku publik duhet të përfshijë të gjitha zonat e Tiranës jo vetëm ato që kalojnë përmes bulevardit. Për shembull, a di të thuash ku është transporti publik për zonat periferike apo fshatrat e Tiranës? Ku është stacioni i autobusit për në Shëngjergj? A ka linjë dhe sa e shpeshtë është?
-Për t’iu rikthyer protestës, çfarë rëndësie ka kjo protestë përveç Partisë Demokratike?
Kjo protestë është për të mos tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Qeveria aktuale po përdor miliarda euro para të drogës, dhjetëra banda kriminale të liruara nga burgjet, dhe dhjetëra banditë dhe trafikantë që i ka si deputetë dhe kryetarë bashkish e që refuzon t’i shkarkojë. Të gjitha këto nuk garantojnë zgjedhje, por nënshtrim ndaj krimit të organizuar. Suksesi i kësaj proteste nuk është e rëndësishme thjesht për Partinë Demokratike, por është e rëndësishme për çdo parti politike dhe për vetë Shqipërinë. Natyrisht bandat e qeverisë përgatiten të vjedhin dhjetëra mijëra vota të opozitës, por Partia Demokratike prapë do të jetë zë i fuqishëm në Parlament ndaj gjithë krimeve dhe korrupsionit galopant të qeverisjes. Por ndërkaq është e sigurt se partive të vogla dhe atyre të reja nuk do t’i mbetet asnjë votë fare nga këto banda. Pavarësisht mendimeve ndryshe të forcave politike, është mirë që të kemi debat konstruktiv dhe me argumente me njerëz të kulturuar, sepse kjo sjell zhvillim për vendin. Ndërsa përfaqësimi në Kuvend me frrokët, rroshët, doshët, prengat dhe kompani është trishtim i madh.

Exit mobile version