Kush e vrau vëllain e Kim Jong Un?

Kuala Lumpur, Malajzi – Zhvillimet kryesore në lidhje me vrasjen e vëllait të liderit të Koresë së Veriut në aeroportin e Kuala Lampurit më 13 shkurt.

Ministri i Shëndetësisë: Agjenti nervor shkaktoi paralizën fatale
Zbulimi i një agjenti nervor VX të ndaluar, i cili përdoret për armë bërthamore në fytyrën e Kim Jong Nam dhe rezultatet e autopsisë sugjerojnë se, “agjenti kimik i përdorur ka shkaktuar paralizën fatale që ka çuar më pas drejt vdekjes së tij për një periudhë shumë të shkurtër”, ka thënë ministri i Shëndetësisë së Malajzisë, Subramaniam Sathasivam.
Kur e pyetën se sa kohë i është dashur Kimit të vdesë pasi është sulmuar, Subramaniam tha: “Mendoj se që nga koha e sulmit ose aplikimit të substancës kimike, janë dashur rreth 15-20 minuta që Kim të humbë jetën”. Ndërkohë, Malajzia nuk e ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e Koresë së Veriut për orkestrimin e sulmit, por zyrtarët thonë se katër burra nga Korea e Veriut i kanë dhënë dy grave të tjera helmin e nevojshëm për të vrarë Kimin. Katër burrat u arratisën nga Malajzia në të njëjtën ditë të vrasjes, ndërsa dy gratë – një nga Indonezia dhe një me etni vietnameze – janë arrestuar.
Oficeri i policisë, Abdul Samah Mat, thotë se gruaja nga Indonezia, Siti Aisyah, ka vjellë në një taksi teksa kthehej nga aeroporti pas sulmit, por tani është në gjendje të mirë. Ai thotë se janë duke u bërë analiza të mëtejshme për të parë nëse dy grave i është dhënë një ilaç për t’i mbrojtur ato nga agjenti nervor që do të përdornin kundër Kim Jong Nam.

90 dollarë për “shakanë”
Përfaqësuesit e ambasadave indoneziane dhe vietnameze në Malajzi janë takuar me dy gratë e arrestuara ditën e shtunë. Zëvendësambasadori i Indonezisë, Andriano Erwin, tha për reporterët se Aisyah ka deklaruar se është paguar 90 dollarë për të kryer atë që mendonte se do të ishte vetëm një shaka e padëmshme. 25-vjeçarja Aisyah thotë se është prezantuar me disa njerëz që dukeshin si japonezë ose koreanë, të cilët i kanë kërkuar të kryejë një shaka për një reality show, sipas Erwin.
Kur e pyetën nëse e dinte se çfarë mbante në duar gjatë kohës së sulmit, Erwin thotë: “Nuk ka thënë gjë për këtë. Ajo tha vetëm se dukej si një lloj vaji, si vaj për bebe ose diçka e tillë”. Gruaja vietnameze, Doan Thi Huong, mendonte gjithashtu se do të merrte pjesë në një shaka, ka deklaruar Ministria e Jashtme vietnameze.

Aeroporti është deklaruar zonë e sigurt
Që në orën 2 të mëngjesit të ditës së dielë, policët e veshur me kostum hermetik të përdorur nga ekipet kundër rrezatimeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore, së bashku me njësitë e departamentit të zjarrit dhe materialeve helmuese dhe bordin e energjisë atomike të qeverisë, kontrolluan me imtësi të gjithë terminalin në të cilin u sulmua Kim Jong Nam për dy orë dhe deklaruan se nuk ekzistonte asnjë shenjë e substancës helmuese, thotë Abdul Samah. Ai tha se terminali nuk ishte i prekur nga asnjë formë kontaminimi nga substanca helmuese dhe e deklaroi aeroportin një zonë të sigurtë.

Malajzia paralajmëron mandate arresti për diplomatë
Policia malajzeze ka paralajmëruar gjatë ditës së shtunë se do të lëshonin mandat arresti për një diplomat të Koresë së Veriut në Kuala Lampur në rast se refuzon të bashkëpunojë me hetimin për vrasjen e vëllait të liderit Kim Jong Un. Policia thotë se Hyon Kwang Song, sekretar i dytë në ambasadën e Koresë së Veriut është thirrur për t’u marrë në pyetje.
Edhe pse autoritetet kanë bërë me dije se ai gëzon imunitetin diplomatik dhe nuk mund ta detyronin dot të paraqitej për t’u marrë në pyetje, Abdul Samah thotë se do t’i japë diplomatit një kohë të mjaftueshme që të shfaqet vullnetarisht. “Nëse ai nuk pranon të bashkëpunojë vullnetarisht, do t’i drejtohemi gjykatës për të marrë një urdhër arresti kundër tij”, ka thënë Samah për reporterët. Ndërkohë, avokati Sankara Nair thotë se diplomatët gëzojnë privilegjet e imunitetit edhe në rastet e hetimeve të çështjeve kriminale.