Ibra fiton trofeun e radhës

Zlatan Ibrahimoviç ka fituar trofeun e radhës në karrierën e tij shumë të suksesshme, duke shënuar dy gola në fitoren e Kupës së Ligës 3-2 ndaj Sauthempton. Por suedezi pranoi se mund të kishte zgjedhur një drejtim tjetër në verën e kaluar, po të mos ishte për dy djemtë e tij, e më pas Zhoze Murinjon, që e bindën t’i bashkohej Mançester Junajtid.
Maksimilian, 10 vjeç dhe Vincent, 8 vjeç, shtynë sulmuesin të udhëtonte drejt Anglisë për të provuar këtë eksperiencë të re, ku ai po i bind të gjithë me paraqitjet e tij. “Nuk e kisha mendjen për të ardhur këtu. Por pastaj dy djemtë filluan të më shtynin dhe Zhoze më telefonoi dhe ja ku jam. Në karrierë ke momente që vendosin. Unë nuk erdha në Angli më parë, pasi nuk ishte momenti i duhur, erdha vetëm kur mendova se kishte mbërritur momenti për ta bërë një gjë të tillë”, tha suedezi pasi ngriti lart trofeun e tij të 32-të si futbollist profesionist.
“Nëse flasim për trajnerin, Anglia, Premier Liga dhe klubi duhet ta falënderojë atë, pasi ai më telefonoi dhe më kërkoi që të vija, përndryshe nuk do të isha këtu. Pastaj dy djemtë e mi deshën që të më shihnin të luaja për Junajtid, edhe pse kisha në mendje diçka tjetër.
Kisha oferta të ndryshme në tavolinë, por Zhoze më telefonoi. Unë kam një raport special me të. Kur ai më telefonoi, diskutimi praktikisht ishte ‘më thuaj çfarë numri duhet të mbaj’”, shpjegoi me humor Ibrahimoviç, i cili ka shënuar 26 gola në 38 ndeshje me klubin e tij të ri.

Ibra batuta me Pogba pas finales
“Për këtë arsye e kemi blerë, për të bërë diferencën në fushën e lojës. Më keni blerë mua? Unë erdha falas, të blenë ty”. Zlatan Ibrahimoviç thumbon Paul Pogba pas suksesit të Manchester United në finalen e Kupës së Ligës, trofeu i parë me fanellën e “Djajve të kuq” për dy lojtarët më të çmuar të armatës së Jose Mourinhos. Në përfundim të ndeshjes ishte kjo intervistë që tërhoqi vëmendjen, duke bërë xhiron e botës, sepse Ibra mbetet përherë Ibra, një lojtar magjik në fushë, por edhe shumë interesant jashtë saj. Shtatlarti suedez që shënoi dy gola në finalen e së dielës u shfaq në humor edhe në tunelin e stadiumit “Wembley”, ku shkëputi një tjetër batutë. Gazetari e pyet sulmuesin se çfarë do të bëjë me këtë medalje, ku do ta vendosë? Përgjigja e Ibrahimoviç? Brilante: Do ta vendos në muze, kam blerë një shtëpi vetëm për medaljet.
35-vjeçari i lindur në Malmoe duket se ka gjetur ambjentin ideal në Manchester, ku me shumë mundësi do të vazhdojë karrierën edhe gjatë sezonit të ardhshëm edhe pse kontrata aktuale skadon pas pak muajsh.