Çadra protestë si një agorë e demokracisë

Ndriçim KULLA

Çfarë nuk u tha kundër çadrës që ngriti opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë ndërtesës së Kryeministrisë. U hodh aq shumë baltë mbi këtë risi protestuese sa të dukej se struktura e brishtë do të varrosej nën të. U shfry aq shumë kundër çadrës në Parlament, në qeveri, nga kryeministri, ministrat e PS-së, deputetët e PS-së dhe mercenarët e tyre mediatikë, saqë u duk se çadra do të zhvendosej si ato ngrehinat që flaken tutje nga uraganët. Edhe vetë natyra u shpall kundër çadrës se në fillimet e saj ra pak shi. Kur e panë se nuk funksiononin akuzat kundër çadrës sikur ajo ishte shtabi i destabilizimit të vendit dhe sikur brenda saj fshiheshin topat e ngritur e të drejtuar nga Kryeministria, ndryshuan taktikë.
Kur edhe kjo nuk u eci, të gjithë këta si me komandë nisën ta venë në lojë çadrën, të thonë se mund të rrinë sa të duan ata që e kanë vendosur, se është një gjë qesharake. Aq shumë qeshën sa u duk se çadra do të përmbytej në gazin e tyre. Por çadra nuk u tund. U përpoqën ta përdhosin çadrën duke e quajtur disko, një lloj klubi nate e dite bashkë, por çadra e tregoi veten se ishte diçka krejt tjetër.
Në fakt çadra ishte konceptuar si diçka tërësisht e ndryshme, si agora e kryeqytetit dhe e vendit dhe jo e dhunës. Agora, në Greqinë e Lashtë ishte sheshi në qendër të qytetit ku mblidheshin qytetarët dhe ku zhvillohej jeta politike, bisedohej për të gjitha problemet që kishte qyteti, rriheshin mendimet dhe merreshin vendimet për qeverisjen, atje bëhej pjesa më e madhe e jetës kulturore, atje ishte qendra intelektuale e qytetit. Është me famë agora e Athinës së vjetër. Kjo protestë simbolin e saj domethënës ka çadrën në mes të bulevardit.
Dhe çadra e opozitës sot po funksionon si një agorë. Është një gjetje gjeniale ajo që në çadër hyjnë njerëzit me turne, si të thuash, dëgjojnë, diskutojnë, japin mendime. Në këtë agorë të demokracisë bashkohen në mënyrë demokratike dhe paqësore të gjitha shtresat e shoqërisë që nga elitat, intelektualët, profesorët, deputetët, biznesmenët, studentët e deri te punëtorët, të papunët, bujqërit, gratë shtëpiake, ato shtresa që gjithmonë kanë qenë si turmë në sheshe. Në mendjen e gjithsecilit prej tyre mbizotëron qetësia dhe ndjenja paqësore deri në vetëmohim për të realizuar të drejtat e pamohueshme politike dhe sociale të shtrembëruara ose të mohuara nga qeveria e sotme. Në mendjen e gjithsecilit që ka krijuar një raport me të mbizotëron paqja në mendjen e pushtetit fluturon paranoja dhe dhuna. Deri edhe lypësat janë atje, pse jo edhe ata. Janë shtuar shumë lypësat dhe të papunët që kur është bërë Edi Rama kryeministër. Ndodh që edhe lypës hyjnë në çadër, në fillim me ndrojtje se mos i dëbojnë pastaj rrëmbehen nga debati dhe dëgjojnë me vëmendje sa harrojnë të lypin. Kam parë me sytë e mi lypës të tillë që kur dikush u ofronte një lëmoshë në kohën që ishin në çadër, e shikonin me habi në çastin e parë se kishin harruar që ishin lypës. Ishin përfshirë nga fryma e agorës, për herë të parë në jetë e kishin ndjerë veten qytetarë me dinjitet, aq sa merrnin guximin të thoshin edhe ndonjë fjalë në debat.
Çadra-agorë është një simbiozë e sallës së Kuvendit, e mbledhjes akademike dhe e mitingut në shesh. Një simbiozë që funksionon për herë të parë në historinë e politikës shqiptare. Në këtë agorë të demokracisë si kurrë ndonjëherë po shkrihen mendimet e elitës dhe të shtresave më të ulëta, të atyre që jemi mësuar t’i shohim si turmë.
Në këtë çadër-agorë ku në rastin konkret për të cilin po flasim protestohet mund të hynë fare mirë nëse duan edhe policët që përfundojnë shërbimin përreth Kryeministrisë dhe çadrës. Në çadër nuk i presin me hunj as me bomba “Molotov” si më 21 janar, por i presin si qytetarë që kanë të drejtën e pjesëmarrjes në agorë.
Ideatori dhe udhëheqësi i kësaj proteste Lulzim Basha nuk ua bën me shenjë zjarrëvënësve të maskuar si protestues, duke nënkuptuar sulmin ndaj Këshillit të Ministrave siç bëri Edi Rama (pamje këto të filmuara dhe të fotografuara), por së bashku me protestuesit gjen tastin dhe bisedon në çadër për problemet e krizës që i solli këtu dhe që kërkon një zgjidhje. Dhe jam i sigurt se shumë policë do të donin të hynin në çadër për të kaluar pak kohë atje, sikur të mos kishin frikë se do të humbisnin vendin e punës.
Në këtë agorë të demokracisë nuk sundon lideri, z. Basha. Ai dhe drejtuesit e tjerë të PD-së marrin kohën e nevojshme për të folur, shpesh në intervalin midis një profesori dhe një bujku, mes një artisteje të njohur dhe një gruaje shtëpiake. Të gjithë shprehin shqetësimin për situatën ku e ka çuar vendin qeverisja e keqe e Ramës, për krizën e gjithanshme ekonomike, institucionale, arsimore, krizën shpirtërore.
Por nuk mjaftohen me kaq. Nga ky debat i paprecedent, po del bërthama e një platforme të re qeverisëse, e një alternative që duhet të përbëjë bazën e programit të PD-së në zgjedhjet e ardhshme.
Shkurt çadra sfidoi jo vetëm qeverinë, por edhe Parlamentin. Të dy, qeveria dhe Parlamenti duken pa legjitimitet përballë çadrës-agorë. Legjitimiteti sot i takon çadrës-agorë. Çadra e opozitës solli frymën e agorës në jetën politike dhe shoqërore shqiptare dhe me këtë e ka fituar vendin e saj në histori.
Shoqërisë sonë i mungonte fryma e agorës, ajo nga ku nis politika demokratike. Duhej të ngrihej kjo çadër që shoqëria jonë ta fitonte edhe këtë institucion qytetar të domosdoshëm që është agora.