Budallallëku i portierit i kushton humbjen PSV-së

Fejnordi mbrëmë mposhti 2-1 PSV-në, duke ia shuar thuajse përfundimisht shpresat për titull ekipit nga Eindhoveni. Megjithatë, më tepër se për rezultatin, kryendeshja e javës së 24-t të Eredivizes do të mbahet mend për një episod tragjikomik për skuadrën udhëtuese.
Tetë minuta para fundit, portieri Zheron Zoet ndali topin mbi vijën fatale, duke e shpëtuar ekipin e tij nga një gol i sigurt. Por e papritura ndodhi një çast më pas, kur, në mënyrë të pashpjegueshme 26-vjeçari holandez e tërhoqi topin drejt vetes teksa ndodhej brenda portës.
Pasi mori sinjal nga teknologjia e vijës së portës se topi kaloi, gjyqtari e akordoi golin duke veshur portierin e PSV-së me peshën e një prej autogolave më qesharakë në historinë e futbollit.
“Është situatë e dh…. Teknologjia e bëri diferencën dhe gjërat do të kishin qenë ndryshe nëse ajo nuk do të ishte. Gjyqtari vendosi pas sinjalit të marrë. Nëse kjo nuk do të kishte ndodhur, goli nuk do të ishte quajtur”, deklaroi portieri fajtor për mediat holandeze.