Armando ‘vetëvritet’ me porosi, duke e nxjerrë Ramën lakuriq…

Kastriot ISLAMI

Ka ndodhur një nga ngjarjet më të rralla, Armando Prenga duke dhënë dorëheqjen e porositur është  “vetëvrarë”, duke nxjerrë ndërkohë Ramën lakuriq në sytë e të gjithëve, shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Armando ka shkuar në shtëpi, pa e ditur se çdo të mund të ndodhë me të në të ardhmen, ndërkohë që Rama ka marrë një “goditje” të rëndë si ideatori i futjes së individëve me rekorde kriminale në Kuvend, i përdorimit të tyre për fitimin e karrikes së kryeministrit, si armiku i dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi dhe së fundmi si kllouni prestigjator që kërkon të mashtrojë se “ai nuk di asgjë se çfarë ka bërë Armando me kokën e tij”, duke neveritur edhe shqiptarët, edhe ndërkombëtarët me këto lloj mashtrimesh e marifetesh makiavelike që ju ka dalë boja.
Armando, pasi ka qëlluar me rripin e mesit dhe grushta në Kuvend kolegët e tij, pasi ka nxjerrë revolen në mes të qytetit dhe ka qëlluar mbi bashkëqytetarët e tij, duke qenë më parë i dënuar në Shqipëri dhe Itali, i listuar në skedat europiane me emra të shumëfishtë, duket se së fundmi është këshilluar nga Rama të largohet nga Parlamenti, në pamundësi për ta mbrojtur publikisht duke e konservuar eventualisht për më vonë, pasi ka ndotur PS, grupin e saj parlamentar, KQZ dhe të gjithë imazhin e vendit në sytë e të gjithë Parlamentit Europian. Dhe i gjithë ky dëmtim i ka ardhur PS, Kuvendit, KQZ dhe vendit jo thjesht nga Armando, por nga Edi Rama, i cili e ka përdorur që nga dita e parë e deri tek dorëheqja për interesin e tij personal të fitimit dhe mbajtjes së karrikes së kryeministrit. Madje edhe “mbrojtja” e sotme që Rama i ka bërë Prengës është thjesht dhe vetëm që Rama të mbrojë imazhin e tij, duke ndotur në ekstrem atë të personazhit në fjalë që e përdor si kavie. Armando është nxitur sot të “vetëvritet”, duke menduar të maskojë krimet e mëparshme, duke u armatosur me një deklaratë dorëheqjeje, të cilën askush nuk e beson se e ka shkruar ai vetë, pra edhe “armën” e vëtevrasjes ja ka dhënë Rama.
Rama duke nxitur “vetëvrasjen” e Prengës është përpjekur të fshehë disa nga pisllëqet e tij.
Së pari, Rama me këtë xhest synon të mos pranojë që është ai që i ka sjellë individët me rekorde të tmerrshme kriminale në grupin e PS për të blerë votat dhe kërcënuar votuesit, por ata kanë rastisur të tillë, dhe ai nuk ka pasur asnjë dijeni, madje ata kanë qenë të pastër, por ndotja e tyre ka ndodhur për shkak të baltës së hedhur nga opozita. Këtë gënjeshtër se beson më askush, sepse ka dalë në dritë të diellit strategjia e tij për të veshur me pushtet të gjithë individët me rekorde kriminale, të cilët e ndihmuan atë të blenin vota dhe kërcënonin votuesit, sidomos në veri të vendit.
Së dyti, Rama me këtë akt vazhdon të mos pranojë, sulmojë apo pengojë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, duke i dhënë mesazhin e mbështetjes të gjithë individëve të tjerë me rekorde të tmerrshme kriminale, sidomos veprimeve të tyre në fushatën e ardhshme elektorale. Por harron që sa më shumë Rama fshihet me këtë lloj teknologjie aq më shumë njerëzit kërkojnë largimin e tij.
Së treti, Rama ka mundur të shmangë përplasjen e radhës me Metën e më konkretisht një shuplakë të fortë që do t’i jepte anëtari i LSI në KQZ kryetarit të saj, Denar Biba, i cili është diskretituar në trajtimin e “çështjes Prenga”, i cili është perceptuar nga publiku dhe partnerët si një “mbrojtës me pagesë” i individëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Kjo është vetëm shtyrje në kohë e përplasjes Rama-Meta.
Së katërti, Rama me këtë akt ka synuar të shmangë një dënim të trefishtë të Prengës për dosjen e Italisë, për moskallzimin e dënimit në Shqipëri dhe çështjen e përdorimit të armës kundër bashkëqytetarëve të tij, sepse një dënim i rëndë i tij jo vetëm s’mund të mos bënte pis edhe vetë Ramën, por mbi të gjitha do të hiqte çdo mundësi që Rama ta përdorë në mënyrë të maskuar Prengën në fushatën e ardhshme elektorale. I mbetet Prokurorit të Përgjithshëm të çojë deri në fund “çështjen Prenga” dhe të thellojë luftën kundër të gjithëve me rekorde të tmerrshme, duke mos toleruar asnjë rast dhe zbuluar në çdo rast rolin e Ramës, largimin e të cilit do ta realizojnë shumë shpejt qytetarët në protestë.
Së pesti, Rama do të përpiqet ta përdorë këtë akt, dhe ky është synimi më qesharak dhe më i turpshëm, si një argument për fituar mbështetjen/simpatinë e Donald Lu dhe/ose Romana Vlahutin për të treguar se ai i bindet porosive të tyre përsa i përket dekriminalizimit, ndërkohë që realisht Rama ka treguar dhe po tregon veçse të kundërtën, pra se është pikërisht Rama ai që “ka programuar futjen në Oarlament të individëve me rekorde të tmerrshme kriminale, i ka përdorur ata sa herë i ka interesuar dhe mundet t’i largojë kur ata i shkaktojnë probleme, natyrisht duke i premtuar se në rastin më të parë do t’i shpërblejë…”. Shpresoj që kjo lojë e shëmtuar të jetë kuptuar nga ambasadori Lu dhe Vllahutin, nëse nuk duan që publiku t’i perceptonte të rreshtuar apo rezonancë me marifetet makiavelike të Ramës.