Berisha: Kontrata me “Bankers” është firmosur në 2003 nga qeveria socialiste

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj një lajmi të rremë të disa mediave, se gjoja kontrata me “Bankers Petroleum” është firmosur gjatë qeverisjes së PD. Duke përgënjeshtruar këtë lajm Berisha shprehet se, Kontrata me kompaninë “Bankers Petroleum” është firmosur në vitin 2003 nga qeveria socialiste dhe në vitin 2005 kompania “Bankers” kishte filluar prodhimin.
“Përgënjeshtrim. Javën e fundit, me qëllim ose nga padija, mediat kanë përhapur lajmin se kontrata me “Bankers Petroleum” është firmosur gjatë qeverisjes së PD. Lidhur me këtë lajm deklaroj me përgjegjësi të plotë sa vijon:
1- Kontrata me kompaninë “Bankers Petroleum” është firmosur në vitin 2003 nga qeveria socialiste dhe në vitin 2005 kompania “Bankers” kishte filluar prodhimin!
2- Kontrata e firmosur nga qeveria socialiste me këtë kompani, në kundërshtim me rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare nuk parashikonte detyrimin e kompanisë për të paguar rente shtetit shqiptar.
Qeveria e PD vendosi në kontratë detyrimin e kompanisë për të paguar rentën prej 10%, një përqindje e të cilës me ligj i lihej komunitetit.
Çdo variant tjetër është trillim i mirëfilltë që synon në një mënyrë ose një tjetër të krijojë konfuzion dhe lehtësojë përgjegjësinë e përgjegjësve të vërtetë të situatës së banorëve të Zharrëzës dhe mashtrimin e tyre të paskrupullt nga qeveria aktuale.
Këto ishin për të gjithë ata që me qëllim trillojnë për kontratën me “Bankers”, shkruan ish-Kryeministri Berisha në përgënjeshtrimin e tij.