Banorët e Zharrëzës: “Po na vret policia”

120 kilometër kanë ecur në këmbë nga Zharrëza për të protestuar para Ministrisë së Energjetikës në Tiranë, por janë përballur me terrorin policor. Grevistët e Zharrëzës dhe banorët që i shoqëronin, kanë mbërritur dje në mesditë në kryeqytet pas një udhëtimi epik prej katër ditësh, por në vend që të mirëpriteshin ashtu siç ndodhi me banorët në Lushnjë, Kavajë e Durrës ku ata ngritën çadrat për të kaluar natën, pushtetarët i pritën me kërbaç.
Grevistët janë përplasur me policinë në momentin që tentuan të ngrenë çadrën para Ministrisë së Energjetikës. Punonjësit e policisë nuk lejuan ngritjen e çadrës me arsyetimin se nuk kanë marrë leje për protestë. “Vetëm për respekt të atyre 120 km që kemi bërë në këmbë ju nuk duhet të na shtypni ashtu. Këta po na bëjnë terror”, u shpreh njëri nga grevistët.
Gjatë përplasjes me policinë, një punonjës i rendit ka qëlluar një nga grevistët, i cili ka rënë pa ndjenja në trotuar. Pas kësaj ngjarje të rëndë, situata është tensionuar edhe më tepër dhe banorët kanë shtyrë forcat e policisë, duke hedhur parulla kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.
“Po na vret policia. Nuk i kemi asnjë borxh kryeministrit dhe ministrave. O kryeministër hajdut, hajde këtu”, thërriste një grua.
Grevisti i dhunuar është dërguar me urgjencë në spital me një ambulancë që erdhi në vendgjarje pas njoftimit nga drejtuesit e protestës. “I kemi këmbët gjak, por përsëri shteti nuk mjaftohet. Na qëllojnë në këmbët e gjakosura. Kjo nuk është polici, është Sigurimi”, u shpreh një nga grevistët e Zharrëzës.
Banorët e Zharrëzës i kanë bërë thirrje policisë që të lejojë ngritjen e çadrave të tyre para Ministrisë, duke deklaruar se protesta e tyre është paqësore, pasi u janë shembur shtëpitë nga kompania që nxjerr naftë në fshatin e tyre. “Ne do të ngremë çadrën këtu para Ministrisë, nuk kemi punë me njeri. Ne kemi ardhur për të protestuar për shtëpitë tona”, u shpreh një nga grevistët.
Përplasja e banorëve me policinë ka vijuar për më shumë se një orë. Grevistët i kanë kërkuar policisë që të paraqesë urdhërin për mos lejimin e ngritjes së çadrës. “Tregoni një urdhër me shkrim nga Policia e Shtetit? Sillni urdhërin e policisë këtu. Çadra do të hapet, zoti polic mos më prek me dorë. Na sillni urdhërin, na sillni ministrin këtu. Mos i prekni grevistët. Turp për Policinë e Shtetit. Këtu do të flemë këtu do të vdesim”, tha një grevist, ndërsa të tjerët thërrisnin në korr: “Çadra do hapet”, “çadra do hapet”, “çadra do hapet”…
“Këtu do të gdhijmë sonte, nuk ikim. Ju jeni këlyshat e Saimir Tahirit”, iu drejtua një grua e moshuar policëve që nuk lejonin ngritjen e çadrës.
Banorët i kanë bërë thirrje kryeministrit që të vijë te ata dhe të dëgjojë kërkesat e tyre dhe të mos fshihet. “Ne kërkojmë të na ndërtohen shtëpitë tona nga shpërthimet e kompanisë “Bankers”. Kryeministri të vijë këtu, të mos fshihet nëpër kanale gjoja sikur punon me skavatorët. Qeveria na ka kthyer kurrizin dhe është bërë palë me kompaninë që jo vetëm na shktërroi shtëpitë, por e ka bërë fshatin të pabanueshëm”, u shpreh një grua nga Zharrëza.

“Policia e korruptuar deri në palcë”

Pas përplasjes me protestuesit e Zharrëzës, policia u ka marrë çadrën grevistëve dhe është larguar. Grevistët dhe banorët e Zharrëzës janë grumbulluar para Ministrisë së Energjetikës, duke deklaruar se aty do të qëndrojnë natë ditë derisa qeveria të zgjidhë kërkesat e tyre të drejta.
“Policia e këtij shteti të korruptuar deri në palcë na tërheq zvarrë dhe nuk na lejon të ngrihet çadra e qytetarëve të thjeshtë. Kjo është Policia e Shtetit, e goditi me bërryl grevistin dhe i ra të fikët në rrugë”, u shpreh një grua.
Një burrë i moshuar  u shpreh se qeveria po i trajton si skllevër banorët e Zharrëzës. “Po na trajtojnë si skllezëvër. Vetëm vota vijnë e marrin nga ne”, tha ai.
Më herët një përfaqësi nga grevistët e Zharrëzës zhvilluan një takim me zv/Kryeministrin Niko Peleshi në ambientet e Ministrisë së Energjetikës, ndërsa ministri Gjiknuri nuk ishte i pranishëm. Pas takimit, banorët thanë se nuk pranojnë të mashtrohen përsëri nga qeveria dhe deklaruan se do të vijojnë protestën në çadrën që do të ngrenë para Ministrisë së Energjetikës.

“Po na varrosin në shtëpitë tona”!

Banorët e Zharrëzës vijuan protestën deri në orët e vona para Ministrisë së Energjetikës. Ata akuzuan qeverinë se po i detyron shqiptarët të largohen jashtë vendit për shkak të korrupsionit, papunësisë dhe varfërisë të tejskajshme. “E kanë zaptuar Shqipërinë hajdutët dhe kriminelët ndaj po largohen njerëzit nga vendi. Bashkohuni këtu me ne. E shikoni ç’bën Sigurimi. Po na varrosin në shtëpitë tona!”, u shpreh një protestuese.
“Këta janë turpi i këtij vendi. O zot, në duar të kujt jemi!”, u shpreh një protestues tjetër.
Protestuesit e Zharrëzës u ulën në trotuarin para Ministrisë së Energjitikës, duke u shprehur se aty do të qëndrojnë gjithë natën. “Ja kjo është çadra e të varfërve të Zharrëzës. Këtu do të jemi po të doni na vrisni, po të doni na fusni në burg, ne nuk largohemi. Nuk kam frikë nga asnjë, as nga Saimir Tahiri, as nga policia”, tha një protestues.
Banorët e Zharrëzës u shprehën se policia u grabiti çadrën, e cila ishte pronë e tyre. “Është tragjedi, po vriten njerëzit, po grabiten njerëzit. I morën çadrat, pronën private na i morën, na i grabiti policia”, u shpreh një greviste.

“Djali im me pompë astme që kur ishte 9 muajsh”

Banorët e fshatit Zharrëz tregojnë se, këtë stërmundim të ditëve të grevës, e më pas të marshimit drejt Tiranës, e bëjnë për fëmijët dhe tokën e tyre. Elton Gremi thotë se ndihet i lodhur nga rruga, edhe pse mbërritja në destinacion i ka dhënë më shumë forcë. Ai tregon se nuk kishte frikë as nga rruga e gjatë e as nga shiu, pasi këtë rrugë po e bën për djalin e tij, i cili është me pompë astme që kur ishte 9 muajsh. Kur kujton gjendjen se si e ka lënë shtëpinë e tij në fshat, të cilën e ka ndërtuar me paratë e emigracionit, Eltoni thotë se nuk ka kthim pas për të.
Banorët e Zharrëz thonë se janë autoktonë në tokat e tyre, edhe pse e dinë që largimi i kompanisë nga fushat e naftës në Patos Marinëz ka kosto të mëdha financiare për buxhetin e shtetit, prandaj ata duan një zgjidhje përfundimtare: ose largim të tyre ose të kompanisë. Kontrata me koncesionarin Bankers është nënshkruar në vitin 2003, por ka më shumë se 10 vite që banorët kërkojnë largimin e saj, duke e akuzuar se operacionet e nxjerrjes së naftës shkaktojnë tërmete, duke u shkatërruar shtëpitë.

Rexhep POLISI