Prokuroria: Dy krimet e Prengës që KQZ po i mbulon

Pas refuzimit të KQZ për të hequr mandatin e Armando Prengës ka reaguar dje Prokuroria e Përgjithshme. Organi i akuzës i është drejtuar sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ndërpresë mandatin e Armando Prengës për shkak të precedentëve penalë që deputeti socialist ka si nga drejtësia shqiptare ashtu edhe ajo italiane. Mësohet se Prokuroria ka rikërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë në konsideratë këtë kërkesë duke renditur arsyet përse i duhet hequr. “Armando Prengës duhet t’i ndërpritet mandati. Nuk deklaroi të dhënat në formular. Prenga nuk deklaroi dënimin e formës së prerë nga Gjykata e Kurbinit; nuk deklaroi precedentët penalë në Itali”, mësohet të jetë cituar ndër të tjera në kërkesën e Prokurorisë. Në kërkesën e saj fillestare, Prokuroria ka parashtruar edhe krimet, të cilat çojnë në heqjen e mandatit të Prengës, precedentë të cilët po mbahen të fshehur nga KQZ. Sipas të dhënave të Prokurorisë, ndaj Prengës rëndon një dënim i formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë, si dhe faktin që rezulton me precedentë penalë në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar i organit të akuzës me autoritetet italiane. Por për KQZ nuk mjaftojnë të dhënat e Prokurorisë, ndaj dhe ajo ka vendosur të kërkojë informacione shtesë. Reagimi i djeshëm i Prokurorisë vjen një ditë pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shtyrjen e vendimit për heqjen e mandatit të deputetit të PS-së, Armando Prenga me pretendimin se nuk kishte prova të mjaftueshme. “Armando Prenga nuk ka respektuar kërkesat e ligjit për plotësimin e të dhënave, duke mos deklaruar, më së pari, një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Kurbinit, si edhe precedentët penalë në Itali”, deklaron Prokuroria e Përgjithshme përmes një njoftimi për shtyp. Më tej Prokuroria vijon: “Sipas vendimit të Kuvendit nr. 17/2016, mosplotësimi i të dhënave ‘….passjell përjashtimin e menjëhershëm nga funksioni publik….’. Pra, vetëm duke u mbështetur në faktin që ka një vendim penal të padeklaruar (të Gjykatës së Kurbinit), deputetit duhet t’i ndërpritet mandati”. Sipas Prokurorisë afati ligjor i KQZ për të shqyrtuar vendimin e Prokurorisë është brenda 10 ditëve nga vendimmarrja e Prokurorisë. Meqë Prokuroria e Përgjithshme ka marrë vendim për konstatimin e ndërprerjes së mandatit të deputetit Prenga në dt. 15.02.2017 atëherë dje KQZ duhej të merrte vendim. Njoftimi vijon: “Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar përgjigjen ditën e sotme për t’i dhënë mundësinë KQZ-së që të shqyrtojë brenda afatit ligjor vendimin e Prokurorisë për konstatimin për ndërprerje të mandatit të deputetit Prenga”.

Si po e mbron KQZ të inkriminuarin Prenga

E gjitha nisi më 16 shkurt 2017, kur pas detajeve të zbuluara për deputetin socialist, Prokuroria kërkoi ndërprerjen e mandatit të tij. “Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi rezulton që nuk ka deklaruar:
1. Një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të ‘Falsifikimit të dokumenteve’, me 450 000 lekë gjobë.
2. Si edhe faktin që rezulton me precedentë penalë në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane”, citohej në deklaratën e Prokurorisë.
Tre ditë më pas, në një deklaratë për mediat, KQZ e renditi Armando Prengën në mesin e atyre që nuk preken nga dekriminalizimi. “Nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se deputetët Armando Prenga, Asllan Dogjani, Andrea Marto, Florion Mima dhe kryebashkiakët Artur Bardhi, Adem Lala, Ndrec Dedaj, Zef Hila, nuk kanë shënuar asgjë në rubrikat e formularit të vetëdeklarimit, por sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore rezulton se kanë dënime me vendim të formës së prerë, fillim të procedimit penal apo shqyrtime nga gjykatat shqiptare, për vepra penale, të cilat nuk përfshihen në kushtet për ndalimin e ushtrimit të funksionit”, deklaroi atë ditë zëdhënësja Drilona Hoxhaj. Ndërsa në mbledhjen e djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjykoi të arsyeshme shtyrjen e vendimit me pretendimin se provat nuk ishin të mjaftueshme për heqjen e mandatit të deputetit socialist Armando Prenga.