FMN: Ulni borxhin në 60%, masa shtesë për kreditë e këqija

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Shqipëria duhet të ulë ndjeshëm borxhin publik në dy vitet e ardhshme, duke e zbritur atë në nivelin 60 për qind të Prodhimit Kombëtar nga 70 për qind që është aktualisht. Pasi miratoi dy rishikimet e fundit të marrëveshjes trevjeçare me Shqipërinë, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar bëri thirrje për përmirësimin e sistemit tatimor. “Prioritetet kryesore të autoriteteve në periudhën e pas programit janë të përshtatshme. Ato duhet të vazhdojnë që të ndjekin konsolidimin fiskal në 2017 dhe më tej në mënyrë që të ulin borxhin publik në rreth 60 për qind të PBB-së deri në fund të 2019”, deklaroi Tao Zhang, zëvendës/drejtor menaxhues i FMN. Sipas tij, ulja e borxhit me 10 për qind brenda tre viteve është një objektiv sfidues që kërkon vullnet të fortë politik. “Strategjia e konsolidimit duhet të përqendrohet në zgjerimin e bazës së taksapaguesve dhe përmirësimin e administrimit dhe mbledhjes së taksave. Strategjia është ambicioze dhe do të kërkojë angazhim të madh politik”, vijoi Zhang.

Të përmirësohen investimet

FMN thotë se reforma të mëtejshme në administrimin e taksave dhe menaxhimin publik financiar do të ndihmojnë në reduktimin e rreziqeve fiskale dhe do të krijojnë hapësirë fiskale për shpenzime më cilësore. “Për më tepër, përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike, dhe trajtimi i projekteve të prapambetura të investimeve të pabuxhetuara do të fuqizonte më tej besueshmërinë e qeverisë në kuadër të buxhetit afatmesëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të FMN. Investimet publike kanë qenë zëri me ecurinë më të dobët tek shpenzimet buxhetore. Edhe këtë vit, gati gjysma e investimeve publike vjetore u realizuan vetëm në dy muajt e fundit të vitit, ndërkohë që shumë projekte të hapura mbeten ende të pambuluara me financim.

Kreditë e këqija

Ekspertët e FMN deklaron se politika e normave të ulëta të interesit është e përshtatshme në këndvështrimin e presioneve të ulëta inflacioniste. Sipas tyre autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë të ndjekin një de-euroizim gradual, duke pasur në konsideratë rreziqet e këtij procesi. “Sistemi bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar dhe përpjekjet e fundit për të forcuar kapacitetet mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë dhe për të adresuar kreditë me probleme (NPL) janë inkurajuese. Janë të nevojshme masa të tjera për të adresuar NPL-të, duke siguruar zbatimin e legjislacionit të ri të falimentimit”, thuhet në deklaratë. Sipas FMN, prioritet duhet t’i jepet rritjes së mbikëqyrjes së institucioneve financiare jo banka dhe sigurimi i transparencës së lartë dhe standardeve të qeverisjes në zhvillimin e institucioneve të tregjeve të kapitalit. FMN përfundoi dy rishikimet e fundit (të nëntë dhe të dhjetë) të programit ekonomik të Shqipërisë. Përfundimi i rishikimit i lejon qeverisë të tërheqin rreth 73.2 milionë euro të mbetura nga kredia, duke e çuar në total rreth 377,3 milionë euro kredinë e marrë nga FMN.