Ballina Kulturë Armët e “përçarjes” në masë

Armët e “përçarjes” në masë

Sipas ekonomistit të famshëm gjerman, Kalus Schwab, ndodhemi në prag të revolucionit të katërt industrial – një lëvizje sizmike që do ta trondisë racën njerëzore në themel, më shumë se çdo gjë që ka përjetuar ndonjëherë në histori. Revolucioni i parë, i dytë dhe tretë na kanë dhënë fuqinë e avullit, elektricitetin dhe elektronikën respektivisht. Këto kanë qenë patjetër arritje të mëdha teknologjike, por kur të mbërrijnë teknologjitë që lidhen me revolucionin e katërt industrial – inteligjenca artificiale, interneti i gjërave, printimet 3D, bioprintimet, ndryshimi i gjeneve, mjetet autonome etj., – bota që njohim do të nisë të transformohet në një mënyrë që nuk e kemi parë asnjëherë.
Të gjithë mund të presim pa dyshim një jetëgjatësi më të madhe. Duke pasur parasysh mungesën e theksuar që ekziston sot për organe njerëzore që nevojiten për transplante, bioprintimi – një proces që falë teknologjisë së printimit 3D mund të krijojë organe njerëzore – do t’i japë mundësinë spitaleve që të “printojnë” organe njerëzore sipas kërkesës dhe nevojës. Për të reduktuar ndjeshëm koston e tyre të zhvillimit, ilaçe të reja do të mund të eksperimentohen në këto organe të printuar në laborator për të përcaktuar në mënyrë të parrezikshme efikasitetin e tyre. Ndryshimi i gjeneve mund të arrijë në të ardhmen të riparojë çrregullimet gjenetike të fëmijëve para lindjes, si sindroma Down, defektet kardiake dhe sëmundjet e gjakut.
Pavarësisht raportimeve të kohëve të fundit për rrezikshmërinë e tyre, një ditë mjetet autonome (pa shofer) do të përmirësojnë ndjeshëm sigurinë në rrugë për njerëzit. Me vetëm 14 aksidente të vogla pas më shumë se 3 milionë kilometra rrugë, makinat pa shofer të Google janë duke provuar se mjetet autonome mund të jenë po aq të sigurta – ndoshta më të sigurta – se automjetet e drejtuara nga njerëzit.
Ndërkohë, interneti i gjërave po avancon për të automatizuar gjithçka që përbën jetën tonë të përditshme. Makinat e kafesë të lidhura me rrjetin do të mund të punojnë në mënyrë të pavaruar dhe të përgatisin kafenë për ju përpara se të zgjoheni, ndërsa frigoriferi të dërgon një mesazh kur furnizimet ushqimore janë pakësuar dhe ajri i kondicionuar do të fiket automatikisht sapo të dalësh nga dera e jashtme.

Forca përçarëse
Nuk ka hapësirë dhe kohë të mjaftueshme për të renditur avantazhet e pafundme që do të sjellë së shpejti revolucioni i katërt industrial, por mjafton të themi se jetët tona do të ndryshojnë në mënyrë radikale gjatë dekadave të ardhshme. Megjithatë, si me çdo avancim tjetër madhor teknologjik në historinë e njerëzimit, mund të presim që teknologjitë e revolucionit të katërt industrial të ngrenë edhe probleme teksa premtojnë avantazhe të shumta. Në fakt, teksa hyjmë në epokën e revolucionit të katërt industrial, pyetja është si do të ndikojë kjo lëvizje sizmike në jetët tona që po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme.
Me kalimin e kohës, mund të presim edhe hyrjen e disa forcave përçarëse në lojë. Është një mundësi reale që mjetet autonome të eliminojnë një numër të madh vendesh pune në sektorin e transportit pasi automjetet e teknologjisë së lartë, jo vetëm që janë më të sigurta, por edhe më eficente se ato të drejtuara nga njerëzit. Ndërkohë, robotika e mundësuar nga inteligjenca artificiale pritet të shkatërrojë shumë punë të tjera të rutinizuara dhe strukturuara në sektorin e shërbimeve. Lehtësirat e printimit 3-dimensional mund të fillojnë të shkaktojnë humbje për shumë shitës me pakicë, prodhues, por edhe kompani globale të furnizimit.
Më tre revolucionet e fundit industriale, makineritë zëvendësuan shumë punë krahu, por duhet mbajtur në mend se standardet e jetesës u përmirësuan ndjeshëm me kalimin e kohës për shkak të punës më të vlefshme që është krijuar. Ndryshimi me këtë revolucion të katërt industrial është që vendet e reja të punës që do të gjenerohen do të jenë pothuajse minimale, pasi shumica e tyre mund të kryhen nga robotika e inteligjencës artificiale, jo nga njerëzit.
Mund të lindë edhe destabilizim politik nëse papunësia teknologjike – ose shkurtimi i vendeve të punës për shkak të futjes së teknologjive të reja – do të përhapet akoma më shumë. Kur një segment i madh i popullsisë humbasin vendet e punës, mund të pritet pa dyshim që të jetë të inatosur dhe frustruar. Rezultati mund të jetë që njerëzit t’i kthehen politikës si shkaktare e problemeve, por edhe si mundësi e vetme për zgjidhjen e tyre.
Në rastet më ekstreme, populli mund të humbasë besimin në institucionet shtetërore dhe t’i drejtohen alternativave të dhunshme. Në epokën e revolucionit të katërt industrial, është e qartë se vetëm një grup i selektuar i njerëzve më të talentuar dhe me fat do të jenë të suksesshëm dhe do të mund të korrin të gjithë përfitimet e mundshme. Duke qenë se vetëm një pjesë e vogël e popullsisë do të mund të pasurohet nga zhvillimi i mëtejshëm teknologjik, pabarazia e të ardhurave do të vazhdojë të rritet. Një normë e shëndetshme e pabarazisë popullore është e pritshme në çdo shoqëri demokratike, por kur norma rritet eksponencialisht dhe me nivele të larta, pabarazia mund të kthehet në një forcë të pandalshme destabilizuese dhe përçarëse të shoqërisë.
Rritja e pabarazisë së të ardhurave nuk do të jetë shqetësimi i vetëm i revolucionit të katërt industrial. Me zhvillimin e teknologjisë përtej parashikimeve, po sikur të pasurit të përdorin modifikimin gjenetik për t’i dhënë fëmijëve të tyre tipare superiore përpara lindjes, duke e konsoliduar përjetësisht pasurinë e tyre dhe status kuonë? Konventat ndërkombëtare në fakt e ndalojnë për momentin përdorimin e modifikimit gjenetik gjatë shtatzënisë, por nuk kemi asnjë garanci që të gjithë vendet e botës do të vazhdojnë të zbatojnë rregullat teksa konkurrenca botërore bëhet gjithnjë e më e fortë.
Me mbërritjen e teknologjive të reja që do të sjellë revolucioni i katërt industrial, rreziku më i madh që ngrihet është që hakerët të shfrytëzojnë dobësinë dixhitale për të përhapur kaos. Sulmet kibernetike kundër rrjetit energjetik të Ukrainës – që la 230 mijë banorë pa energji elektrike për 6 orë rresht – demonstron se sulmet e tilla jo vetëm që janë të mundur, por edhe tepër të rrezikshëm.
Në teori, nuk ka asnjë sistem dixhital tërësisht imun dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet kibernetike, kështu, teksa hyjmë në revolucionin e katërt industrial, do të bëhemi gjithnjë e më të dobët ndaj sulmeve kibernetike. Deri tani, kërkuesit në Shtetet e Bashkuara kanë demonstruar se hakimi i sistemit kompjuterik në një makinë “Jeep Cherokee”, i jep sulmuesit kontrollin e plotë të automjetit dhe mund ta përplasë atë sipas dëshirës.
Kriminelët kibernetikë mund të shfrytëzojnë edhe defektet e fshehura të produkteve të printimit 3D. Tani që printerët 3-dimensionalë janë duke u përdorur për të printuar pjesë këmbimi të motorëve të avionëve luftarakë, kjo formë sabotimi kibernetik bëhet veçanërisht e rrezikshme, pasi lejon terroristët të marrin në dorë kontrollin e këtyre mjeteve fluturuese duke i telekomanduar nga larg.

Roli i shtetit
Në epokën e revolucionit të katërt industrial – kur forcat përçarëse ka gjasa të trazojnë dhe shkundin institucionet kryesore – cili do të jetë roli i shtetit? Ndryshe nga mendimi i përgjithshëm, roli i shtetit do të bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm, edhe atëherë kur qendra e gravitetit të spostohet drejt sektorit korporativ. Në një botë të varur plotësisht nga teknologjia, ata që arrijnë të përshtaten dhe integrohen, do të përfitojnë një sasi të jashtëzakonshme pushteti.
Kështu, parashikohet që në epokën e revolucionit të katërt industrial, influenca e shtetit do të eklipsohet vazhdimisht nga kompanitë dhe bizneset që kontrollojnë teknologjitë që sjellin këto forca sizmike. Nga këndvështrimi politik, dobësimi i shtetit, së bashku me forcimin e jashtëzakonshëm të sektorit korporativ, mund të krijojë probleme të mëdha.
Kjo ndodh për shkak se sektori korporativ është përgjegjës vetëm për mirëqenien e aksionerëve dhe drejtohet kryesisht nga fitimi. Kështu, me shpërthimin e papunësisë teknologjike, sektori korporativ nuk ka asnjë inçentiv për të punësuar ata individë që janë bërë të panevojshëm në sajë të futjes së teknologjive të reja. Vetëm shteti – përmes përdorimit gjithëpërfshirës të politikave fiskale dhe monetare – do të jetë i aftë të ngrihet për të stimuluar kërkesën dhe për gjeneruar punësim. Edhe nëse shteti do ta ketë të pamundur të gjenerojë vende pune, mund t’i ndihmojë të varfrit përmes programeve sociale. Edhe pse sektori korporativ është një partner i domosdoshëm i shtetit dhe mund t’i ofrojë atij ndihmë të jashtëzakonshme, vetëm shteti ka në dorë mjetet politike dhe planifikimi strategjik për të parandaluar kryengritjen e shtresës së ulët të shoqërisë.
Përveç kësaj, shteti do të nevojitet dhe për të garantuar sigurinë. Revolucioni i katërt industrial mund të destabilizojë dhe trazojë institucionet ekzistuese dhe mund t’i shtyjë njerëzit drejt alternativave të tjera. Dobësia dixhitale e teknologjive të reja që lidhet me lëvizjen sizmike mund të çojë edhe drejt shpërthimit të një vale sulmesh kibernetike. Qoftë në parandalimin e sulmeve terroriste, roli i shtetit për të garantuar sigurinë do të jetë më i rëndësishëm se kurrë. Edhe pse sipërmarrjet private kryejnë disa shërbime sigurie, siguria publike dhe mbrojtja kombëtare do të qëndrojë gjithmonë në duart e shtetit.

Konkluzione
Revolucioni i katërt industrial do të përhapë forca të mëdha përçarëse që sapo kemi filluar t’i identifikojmë dhe për shkak se jemi bërë kaq të varur ndaj teknologjisë, heqja e spinës është bërë prej kohësh e pamundur. E ardhmja e afërt do të na vërë pa dyshim në provë duke na detyruar të përballemi me forcat përçarëse dhe lëvizjet sizmike.
Sektori korporativ nuk ka asnjë inçentiv për t’u marrë me të gjitha sfidat që do të sjellë revolucioni, madje as nuk mund të pritet prej tij diçka e tillë. Vetëm shteti – me kontrollin e tij kundrejt procesit të politikëbërjes dhe burimeve kombëtare – ka në dorë pushtetin e nevojshëm për ta mbajtur situatën nën kontroll. Teksa hyjmë në epokën e re të revolucionit të katërt industrial, një shtet i fuqishëm nuk është më vetë një ide abstrakte, por një domosdoshmëri thelbësore për t’u përgatitur për të ardhmen.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version