Ballina Sport Vazhdo buzëqesh!

Vazhdo buzëqesh!

Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo ka reaguar pas shkarkimit të italianit, Klaudio Ranieri nga klubi i Lestër Sitit. Me një mesazh të postuar në profilin e tij në Instagram, Murinjo ka ironizuar klubin kampion të Anglisë duke lënë të nënkuptohet mosaprovimin e tij për këtë vendim. “Kampion i Anglisë dhe trajneri i vitit nga FIFA, i shkarkuar! Ky është futbolli i ri Klaudio. Vazhdo të buzëqeshësh shoku im. Askush nuk mund ta shlyejë historinë që ke shkruar”, ka shkruar trajneri i njohur portugez.
Bota e futbollit është befasuar me vendimin e Lestër Sitit për shkarkimin e Klaudio Ranierit. Ky vendim ka befasuar botën e futbollit, pasi vetëm disa muaj më parë Ranieri kishte bërë historinë me Lestërin duke e shpallur Lestër Sitin për herë të parë kampion të Premierligës. Lestër Siti shkarkoi Klaudio Ranierin, trajnerin që krijoi përrallën më të bukur në historinë e futboll anglez. Rreth 9 muaj pasi ngriti lart trofeun e Premier League, duke mposhtur konkurrencën e ekipeve të mëdha në ishull, trajneri italian detyrohet të largohet për shkak të rezultateve të dobëta.
“Dhelprat” pas javës së 25-të të Premier Leagues renditen në vendin e 17-të me 21 pikë, 1 më shumë se Hull City që me klasifikimin aktual bie nga kategoria. Pikërisht kjo ecuri negative me 5 humbje radhazi në kampionat, si dhe eliminimi nga FA Cup nga Millwall, e ka bërë të pamundur vijimin e trajnerit italian në krye të skuadrës, me drejtuesit e Lesterit që ishin të detyruar ta merrnin këtë vendim.
Në qëndrimin zyrtar të klubit, shkruhet se ka qenë një vendim shumë i vështirë për t’u marrë, por i paevitueshëm, pasi skuadra duhet të shpëtojë nga rënia dhe për ta arritur këtë qëllim kërkohej ndryshimi në drejtim. Bashkë me Ranierin largohen edhe ndihmësi i tij, Paolo Benetti dhe përgatitësi atletik, Andrea Azzalin. Skuadra për momentin do t’u besohet përkohësisht Craig Shakespeare dhe Mike Stowell, pjesëtarë të stafit teknik të Lesterit. Klaudio Ranieri e mori drejtimin e Lester më 13 korrik të 2015-ës, duke i udhëhequr “Dhelprat” drejt titullit të parë kampion në historinë 133-vjeçare të këtij klubi. Pavarësisht shkarkimit nga detyra për rezultatet e dobëta, mbetet pa dyshim trajneri më i suksesshëm i Lesterit në të gjitha kohërat.

Exit mobile version