Ballina Sport Pioli: Ndeshja me Juven u vendos nga një korne

Pioli: Ndeshja me Juven u vendos nga një korne

Trajneri i Interit bën një rrëfim 360 gradë, për periudhën e tij si zikaltër, ndeshjen me Juven, merkaton, objektivat, etj. “Kur më telefonuan për të marrë drejtimin e Interit, nuk u mendova fare. E ndjeja veten plotësisht të gatshëm”, nis rrëfimin e tij Stefano Pioli. Trajneri zi-kaltër thotë se, është mjaft i kënaqur me planet dhe angazhimin e drejtuesve kinezë të Interit, sepse sipas tij, ata duan të ndërtojnë një ekip të denjë për të garuar në Itali dhe Evropë.
Më pas, Pioli ndalet të komentojë edhe episodet e ndeshjes ndaj Juventusit. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë ai ul tonet dhe shmang me diplomaci akuzat ndaj arbitrimit. “Ndeshja me Juventusin u vendos nga…. një goditje këndi në fundin e pjesës së parë, e cila solli edhe golin e bardhë e zinjve”, thotë me diplomaci ai.
“Kemi një ekip shumë të mirë, me elementë që mund të bëjnë diferencën. Ikardi është sulmuesi më i mirë që kam stërvitur”, vazhdon rrëfimin e tij Pioli. Sipas tij, Interi i ka të gjitha mundësitë që të arrijë objektivin e fillim-sezonit, pjesëmarrjen në Champions, vetëm se për do të jenë vendimtare edhe përballjet direkte. “Është një garë e vështirë, ku nuk mjafton vetëm të fitosh ndeshjet e radhës, por edhe takimet direkte, duke filluar nga ndeshja e të dielës ndaj Romës. Kjo është e vetmja mënyrë për të rikuperuar pikë ndaj rivalëve”, mendon trajneri zi-kaltër.
Në fund, Pioli nuk harron të flasë edhe për Gagliardinin dhe Gabigol, duke thënë se janë dy elementë të rinj, mjaft të rëndësishëm për të tashmen dhe veçanërisht të ardhmen e ekipit zi-kaltër.
“Paraqitjen e Gagliardinit e prisja të tillë, pasi e kisha ndjekur me vëmendje. Ai është i ri, italian, me karakter dhe dëshirë për të bërë mirë, ndaj mund të themi se kemi bërë një investim të sigurt për 10 vitet e ardhshme. Gabriel Barbosa është gjithashtu një talent i pastër. Kur erdha në fillim vura re që nuk kishte vazhdimësi as në stërvitje, por me kalimin e kohës po ambientohet dhe gradualisht do të arrijë të vërë në dispozicion të ekipit, tërë talentin e tij”, mbyll rrëfimin e tij Pioli.

Exit mobile version