Negociatat private për vilën 1.7 milionë euro

Armand MAHO

Rolling Hills, është e vërtetë se është një ndër fshatrat më të shtrenjtë në Shqipëri, i cili si shumë sektorë të tjerë dhe ai prej kohësh përjeton krizën e blerjeve. Burime nga zyra e shitjeve i thanë “RD” se përreth  ka shumë vila të pashitura dhe çmimi varion për metër katror, i cili mund të jetë i negociueshëm. Një vilë me sipërfaqe 1000 metra katrorë ku gjurma e ndërtimit është sa ajo e Zonjës Vlahutin, mund të blihet dhe për 500 mijë euro në rast se negociohet direkt me ndërtuesit. Por misioni ka preferuar të hyjë në negociata me individë të caktuar, duke shmangur menaxherët dhe pronarët e firmës.

Shmanget firma

Kryetarja e misionit të  BE-së, Romana Vlahutin, bën një jetë tepër mondane në Shqipëri. Në vilën e blerë nga misioni, mësojmë se në asnjë rast nuk është negocuar me firmën që ndërton në fshatin turistik në lindje të Tiranës. Misioni e ka blerë vilën model Champgne, nga një person, i cili e ka përfituar atë me anë të shkëmbimit, duke dhënë një sipërfaqe toke që kish aty afër. Më tej e ka rregulluar sipas shijes së tij, së bashku me 1800 metra tokë që ka përreth vila. Toka pa ndërtim aty shitet me rreth 100 euro metri. Vila e zonjës Vlahutin nuk është më shumë se 345 metra katrorë, dhe llogaria për një shumë të tillë, pra 1 milion e 648 mijë euro mund të merret vetë me mend. Por këtu duket se ka diçka që nuk shkon. Në rast se shitësi është në të drejtën e tij t’ia vendosë çmimin shitjes së pronës së tij, kjo s’mund të vlejë dhe për misionin, i cili në vendin tonë paguhet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Vila dukshëm është blerë me një çmim tepër të lartë. Nga ana tjetër, hije dyshimi hidhen dhe për mënyrën e përzgjedhjes. Është i çuditshëm fakti, se përse misioni duhet të hynte në negociata me një individ të caktuar dhe jo me firmën përkatëse, e cila menaxhon shitjet në këtë fshat. A ka parë misioni të tjera vila, ndoshta dhe më pak luksoze që do i kushtonin më pak taksapaguesve të BE-së, kur dihet fakti që edhe parlamentarët e BE-së që janë rezident në Bruksel, jetojnë në shumicën e rasteve në apartamente fare të thjeshta. Madje, shumë prej tyre që vijnë dhe nga vende si Kroacia e zonjës Vlahutin, paguhen me paga ndoshta jo të përshtatshme për nivelin e jetesës që ka Belgjika. Kjo sepse, në politikën e Parlamentit Evropian, eurodeputetët paguhen nga qeveritë e tyre….

Mondaniteti i Romanës

Por përse i duhet një supervilë misionit të BE-së në Shqipëri? Nga praktikat e mëparshme kemi mësuar se misioni i BE-së, ka një staf të veçantë që merret me akomodimin jo vetëm të kryetarit të misionit, por të gjithë stafit të huaj rezident në Shqipëri. Zonja Vlahutin, është këtu vetëm me bashkëshortin Vlado Azinoviç, një anëtar i hershëm i Bordit të Fondacionit për një Shoqëri të Hapur në Bosnjë. Por që nga ardhja e saj, zonja Vlahutin ka shfaqur kërkesa shumë më të kushtueshme në raport me paraardhësin e saj, zotin Sequi. Edhe ky i fundit jetonte në një vilë në Sauk të Tiranës, por me një shumë që nuk i kalonte 3500 euro në muaj. Zonja Vlahutin menjëherë sapo erdhi piketoi Rolling Hills, dhe mori vilën ku aktualisht është pronar misioni me një qera prej 8000 euro në muaj. Eshtë i habitshëm fakti se përse kjo mani e zonjës Vlahutin për të jetuar në një luks të shfrenuar në një nga vendet më të varfëra në Ballkan ku njerëzit jetojnë me 5 dollarë dita. Ndoshta është një kompleks i popujve të Ballkanit që kur i thonë fjalës “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”, por në këtë rast duket se përsheshi po bëhet me paratë e taksapaguesve evropianë, të cilët në këto raste janë jo pak të ndjeshëm.