Ballina Aktualitet Gjykata rrëzon kërkesën e bandës së kokainës të Xibrakës për gjykim të...

Gjykata rrëzon kërkesën e bandës së kokainës të Xibrakës për gjykim të shkurtuar

Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e bandës së kokainës të laboratorit të Xibrakës për gjykim të shkurtuar. Bëhet e ditur se avokatët e të pandehurve kanë bindur prokurorin e çështjes për gjykim të shkurtuar, por u refuzuan nga gjykatësit. Me gjykimin e shkurtuar, 9 të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit dhe prokurori ka qenë dakort. Në seancën e djeshme, trupi gjykues pati një ndryshim. Gjyqtarja Etleva Deda për arsye shëndetësore u zëvendësua me gjyqtaren Irena Gjoka. Në këtë moment avokatët përsëritën kërkesën për gjykim të shkurtuar, me të cilën ishte dakort edhe prokurori i çështjes. Pas refuzimit, avokatët lanë sallën në shenjë proteste.
Laboratori gjigant i përpunimit dhe prodhimit të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit, u zbulua më 14 janar të vitit 2015, falë hetimeve të kryera prej disa muajsh nga Interpol dhe Europol. Gjatë operacionit të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u sekuestruan 100 kg kokainë e pastër si dhe 4 tonë përzierës kokaine si dhe përfunduan në pranga 13 persona, 11 shqiptarë dhe dy kolumbianë që ndodheshin në laborator në momentin e aksionit.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, Saimir Batku, banues në Tiranë, Gentian Gjonaj, banues në Elbasan, Arjan Dalipi, banues në Elbasan, Ilir Hyseni, Klement Dalipi, banues në Elbasan dhe shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Walser Moreno. Operacioni antidrogë u inicua nga shërbimet e posaçme të huaja si Interpol dhe Europol, pasi një shqiptar i arrestuar disa muaj më parë në Gjermani, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë e këtij shteti. Ai ka treguar të dhëna për personat e përfshirë në prodhimin e lëndëve narkotike, të cilët më pas janë vënë në përgjim dhe janë kapur në flagrancë, ndërsa përpunonin drogën.
Laboratori i vendosur brenda një ish-reparti ushtarak në fshatin Xibrakë të rrethit të shërbente për prodhimin e përpunimin e kokainës. Gjatë hetimeve u zbulua se kjo bandë kishte transportuar një sasi të konsiderueshme kokaine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Exit mobile version