Aeroporti i Prishtinës përgjysmon çmimet, në Tiranë çmimet në stratosferë

Në Shqipëri vazhdon të mbetet akoma shqetësim çmimi i shtrenjtë i biletave në aeroportin e Rinasit. Nëse bëjmë një kërkim të thjeshtë në internet, shohim se Shqipëria i ka çmimet për të udhëtuar me avion, më të lartat në rajon. Nga aeroporti i Shkupit mund të udhëtosh në shumë vende të Europës dhe vlera e biletës nuk është më shumë se 50 euro. E njëjta gjë është edhe me aeroportin e Prishtinës, ku çmimet janë disa herë më të lira në krahasim me ato të Shqipërisë. Në Kosovë, Limak ka vendosur që për kompanitë ajrore, të cilat rrisin prezencën në tregun e shërbimeve ajrore, qoftë në destinacione të reja e po ashtu edhe me fluturime shtesë në destinacione tanimë të shërbyera, që duke filluar nga sezoni i ri veror të zbresë për 50% tarifat që aplikohen për shërbimet e aeroportit përgjatë qëndrimit në tokë të aeroplanëve. Kompanitë ajrore mund të jenë përfitues nga produkti i ri nxitës, pra trajtimit të kufizuar të shërbimeve në tokë, me kushtin që të mos bartin mallra, që të mos kenë nevojë për shërbime të shkarkimit apo ngarkimit të mallrave dhe shfrytëzim të terminalit të mallrave. Fokusi i produktit nxitës është i orientuar drejt kompanive ajrore që transportojnë pasagjerë dhe bagazhin e tyre, duke mundësuar kështu procesim edhe më të shpejtë të fluturimeve. Objektivi i Limak është që në ANP “Adem Jashari” të ketë rritje të konkurrencës, të ketë rritje të numrit të operatorëve ajrorë dhe ajo që është shumë e rëndësishme të ketë prezencë më të madhe të kompanive ajrore që operojnë me kosto të ulët. Këto zhvillime do të rrisin mundësitë për të udhëtuar nga shumë destinacione direkt për në Prishtinë dhe anasjelltas, gjithashtu mundësi për oferta edhe më të përshtatshme për udhëtime, normalisht për aq sa është niveli e impaktit të tarifave të aeroportit të aplikuara për kompanitë ajrore.

Çmimet skandaloze në Shqipëri

Ndryshe paraqitet situata në Shqipëri, ku shërbimet ajrore prekin shifra jashtëzakonisht të larta krahasuar me vendet e rajonit. Çmimi i shtrenjtë i biletave vijon të mbetet shqetësim për ata që udhëtojnë përmes aeroportit të Tiranës. Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria i ka çmimet disafish më të larta. Linja të ndryshme të kompanive ajrore vendosin tarifa edhe për çantat që pasagjerët marrin me vete në avion. Kjo madje duket edhe në ofertat që agjencitë turistike bëjnë në sitet që shesin biletat. Bagazhi për ata që udhëtojnë nga Tirana është në varësi të kompanisë ajrore. Agjencitë turistike thonë se e kanë problem të organizojnë grupet e tyre për të ardhur në Shqipëri për shkak se oferta që ata nxjerrin është më e lartë se ajo e rajonit. Ata bëjnë përgjegjës koncesionarin, që ka vendosur taksa të larta mbi linjat e fluturimeve. Shqipëria nuk ka asnjë linjë fluturimesh “low cost”, kjo për shkak se askush nuk mund ta ofrojë këtë shërbim, përballë taksave të larta. Rajoni konkurron vendin tonë edhe me destinacionet direkte. “Wizz Air” në Maqedoni ka 30 linja direkte, ndërsa të gjitha kompanitë bashkë në Tiranën, ofrojnë vetëm 25 destinacione të tilla.