Rritet mbështetja, studentët i bashkohen protestës në shesh

Pasditen e ditës së gjashtë të protestës, studentë nga e gjithë Shqipëria iu bashkuan qëndresës së qytetarëve në Sheshin e Lirisë. Studentë nga Korça, Shkodra, Elbasani, Pogradeci, Durrësi ngritën shqetësimet lidhur me përditshmërinë në sistemin arsimor. Brikela është një studente e Universitetit të Korçës, me banim në Pogradec. Ajo u shpreh se shpenzimet për të udhëtuar drejt Korçës janë sakrificë e prindërve të saj. “Shpenzimet e shkollimit tim janë një sakrificë e babait tim, i cili gjithashtu ka mbetur pa punë, e kanë hequr. Aftësia e këtij kryeministri për të ndihmuar studentët ka mbaruar, pasi nuk ka më çfarë të japë për këtë vend”. Të tjerë studentë të filialeve të universiteteve publike në Shqipëri ngritën shqetësimet e tyre jo vetëm lidhur me sistemin arsimor kaotik sipas tyre, por edhe premtimeve të tjera të pambajtura të qeverisë.
Një studente e Universitetit të Korçës, banuese në Devoll iu drejtua godinës së Kryeministrisë për të pyetur se ku është ndihma ekonomike për familjet në nevojë. Kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj shqetësimeve të studentëve të sjella nga anembanë Shqipërisë në sheshin e qëndresës qytetare. Sipas tij, sistemi i kësaj qeverie i ka shtyrë të rinjtë drejt rrugës së emigrimit, duke larguar kështu asetin më të vlefshëm që ka vendi ynë sot: rininë shqiptare. “Ilaçi për demokracinë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ky është ilaçi për demokracinë që e kthen pushtetin dhe vendimmarrjen tek ju, rinia dhe çdo shqiptar që kërkon të jetojë me djersën e ballit. Ne jemi gati të marrim përsipër përgjegjësitë që na takojnë për rininë, për studentët”.
Premtimet ndaj rinisë ua përsëriti edhe studentëve të Universiteteve publike shqiptare, të cilët udhëtojnë nga vendbanimi i tyre drejt qyteteve, ku sot gjenden filialet e universiteteve publike. “Qindra-mijëra studentë janë goditur sot për shkak të tarifave të larta të studimit, janë goditur sot për shkak të mbylljes së filialeve. Unë dua t’u them se, filialet e universiteteve publike që janë goditur nga kjo qeveri anti-arsim, nga kjo qeveri anti-kulturë, nga kjo qeveri anti-studentore do të rihapen dhe do të financohen plotësisht me fondet e taksapaguesve shqiptarë. Këto fonde nuk do të përfundojnë më në xhepat e klientëve të qeverisë, por do të financojnë arsimimin e fëmijëve shqiptarë në universitetet publike me tarifa të ulura, me tarifa të përballueshme dhe me filiale sa më pranë tyre”. Planin e ndihmës ndaj rinisë studentore, kreu i selisë blu, Basha e çon përtej sistemit të Arsimit të Lartë. “Stazhet janë një koncept europian. Unë i kam përjetuar gjatë kohës që studioja në Europën Perëndimore, kam parë se si i ndihmojnë studentët si një urë nga shkolla drejt tregut të punës. 70% e studentëve shqiptarë që kanë pasur mundësi të sigurojnë një stazh pune kanë siguruar një vend pune. Ndaj nuk është shpikje, nuk është propagandë, nuk është ofertë partiake. Eshtë oferta për të gjithë studentët shqiptarë dhe nesër do të jetë realitet. 10 mijë studentë shqiptarë në bazë të meritës së tyre do të kenë nga shteti shqiptar mbështetje financiare për një vit”. Një nga studentët pjesëmarrës e pyeti zotin Basha si ka ndërmend të përmirësojë situatën për studentët, të cilët sot po largohen nga vendi i tyre, kur Shqipëria është në një gjendje ekonomike si kjo e sotmja, e cila ka rënduar çdo familje shqiptare. Përgjigjen kryetari demokrat Basha e arsyetoi si më poshtë: “Klima ekonomike në Shqipëri është e rënduar, sepse fitimet e shqiptarëve kanë rënë. Taksat janë rritur, çmimet janë rritur, konkurenca është zeruar. Ky është sistemi që jemi ngritur të shembim këtu në këtë “Shesh të Lirisë”. Ju keni ardhur të kërkoni të drejtën tuaj për të konkuruar dhe ne do ta garantojmë këtë të drejtë së pari, duke sprapsur modelin e së keqes dhe duke u dhënë shqiptarëve dhe rinisë modelin e konkurencës së lirë. Ekonomia shqiptare do t’i përgjigjet platformës tonë të taksës së sheshtë, të qeverisë, e cila nuk qëndron përballë biznesit si xhandar, por është në krah të sipërmarrjes për interesin publik, për punësimin”. Rruga e vetme drejt një Shqipërie me standarde europiane për rininë dhe qytetarët për kryedemokratin Basha është sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që mund të vijnë vetëm përmes një qeverie teknike.