Reali thyhet në “Mestalla”

Reali i Madridit ndalet në fushën e Valencias duke rihapur kampionatin spanjoll pasi diferenca me Barcelonën mbetet vetëm një pikë edhe pse “Los Blancos” duhet të luajnë një tjetër ndeshje të prapambetur, atë ndaj Celta Vigos. Skuadra e Zinedine Zidane pësoi humbjen e dytë sezonale në La Liga pasi ra në “Mestalla” ku pësoi dy gola të shpejtë nga skuadra vendase, ndërsa goli i Cristiano Ronaldos edhe pse e riktheu në lojë, nuk arriti të evitonte humbjen. Madrilenët e panë veten menjëherë në disavantazh pasi Simone Zaza bëri gjithçka mirë duke finalizuar me një kthesë të shpejtë që në minutën e 4.
Një gol që shokoi “Los Blancos”, të cilët pësuan edhe të dytin 5 minuta më vonë pas një kombinimi të saktë në kundërsulm që nxori të zbuluar Fabian Orellana.
Një goditje vërtet e rëndë për ekipin kryesues që vuajti presionin dhe shpejtësinë e skuadrës së trajnerit Voro. Me kalimin e minutave skuadra u balancua dhe hoqi sytë drejt sulmit duke gjetur golin e parë dhe të vetëm me anë të Cristiano Ronaldos, i cili shënjestroi saktësisht me kokë në minutën e 44.
Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, Valencia kërkoi të menaxhonte situatën dhe ia doli mbanë të ruante të paprekur portën për 45 minuta pavarësisht volumit të madh të lojës të krijuar nga Reali. Ronaldo dhe Benzema shpërdoruan shumë, ndërsa mesfusha gaboi në pasimin e fundit. Në krahun tjetër, Valencia u përpoq të shfrytëzonte kundërsulmin, por nuk e gjeti golin e qetësisë. Një fitore që e ngjit ekipin valencian në vendin e 14 me 26 pikë, ndërsa Reali mbetet në krye, por ndien më afër frymëmarrjen e Barcelonës që rrezikon seriozisht sezonin e skuadrës “merengues”.