Minatorët kërkojnë zbatimin e menjëhershëm të ligjit për Trepçën

Minatorët e minierës së Trepçës në Stantërg, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të fillojë së zbatuari Ligjin për kombinatin dhe të krijojë kushte më të mira të punës për ata. Isuf Beqiri, minator në minierën e Stantërgut që prej vitit 1978, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç moszbatimit të Ligjit për Trepçën, ata po përballen edhe me kushte të vështira të punës.
Sipas tij, minatorët e Trepçës janë të harruar nga institucionet e Kosovës dhe se nuk po punohet asgjë në krijimin e kushteve më të mira për ta. “Nuk është bërë asgjë për neve minatorët. Një ligj që është bërë nuk ka filluar të zbatohet akoma. Gjendja e minatorëve është e vështirë, nuk kemi as sigurime shëndetësore, që nga pas lufta nuk kemi asgjë. Qeveria e Kosovës duhet të marrë masat për përmirësimin e kushteve të minatorëve”, thekson Beqiri.
Lidhur me zbatimin e Ligjit për Trepçën, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në tetorin e vitit të kaluar, minatorët e Trepçës dhe udhëheqësit e këtij kompleksi metalurgjik thanë se autoritetet e vendit kanë treguar neglizhencë. Më 7 tetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtohet të rimëkëmbet dhe rivitalizohet ndërmarrja.
Por, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Trepçën, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të krijojë ende Bordin mbikëqyrës të Trepçës, në mënyrë që të mund të fillohet me zbatimin e ligjit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Trepçën, ka gjashtë muaj afat për të themeluar Bordin për Trepçën.
“Bëhet fjalë për një ndërmarrje, e cila do të jetë në pronësi të qeverisë, prandaj edhe nuk është gjë e lehtë dhe e thjeshtë zgjedhja e bordit dhe e strukturave të tjera për këtë çështje”, kishte thënë Stavileci. Ndërkohë, ish drejtori i Trepçës Halil Qela në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e quan të pakuptimtë mos zbatimin e Ligjit për Trepçën.
Ai thotë se pavarësisht që Ligji për Trepçën ia ndërron pronësinë kompleksit Trepça, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek ekzekutivi, Trepça vazhdon ende në disa gjëra të caktuara të menaxhohet nga AKP-ja dhe jo Qeveria e Kosovës. “Fatkeqësisht sot e festuam 28 vjetorin në një kohë kur Ligji për Trepçën është miratuar, por që nuk është duke u zbatuar. Kjo është absurde. Kemi pritur që këtë përvjetor të grevës ta shënojmë me një bord profesionist siç e parasheh Ligji, me rezultatet e para të ligjit që e kemi kërkuar një kohë shumë të gjatë, por kjo nuk ka ndodhur”, thekson Qela.