Mbështetje amerikane për kauzën e zgjedhjeve të lira

Shtetet e Bashkuara mbështesin protestën dhe betejën qytetare të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mesazhi i mbështetjes i ka mbërritur Kryetarit të opozitës Basha nga anëtari i  Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit, republikani  John P. Cyrier, i cili shprehet në mesazhin e tij, se SHBA-të, do të mbështesin gjithmonë përpjekjet e popullit shqiptar për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut. “I dashur Kryetar Basha. Ju lutem pranoni këtë mesazh të mbështetjes në përpjekjet paqësore të popullit shqiptar në betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se ata do të kenë mbështetjen tonë në përpjekjen për liri, demokraci dhe liritë individuale”, thuhet në mesazhin e zotit Cyrier.
Ky nuk është mesazhi i parë që vjen nga përfaqësues të nivelit të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të përpjekjeve të opozitës për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një ditë para 18 shkurtit ishte Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Çështjet e Jashtme ai i cili, do të dërgonte mesazhin e parë për opozitën, dhe të qartë për mazhorancën. “I dashur Lulzim, ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e qytetarëve shqiptarë dhe betejën e tyre të drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë në kauzën e tij për liri dhe demokraci, shtet të së drejtës dhe liri njerëzore”, ishte mesazhi i kongresmenit amerikan.
Ai njihet si një ndër njerëzit më të besuar të Presidentit Trump, dhe një ndër tre kandidaturat për postin e Sekretarit të Shtetit. Kur kishin kaluar vetëm dy ditë nga fillimi i protestës së opozitës, një tjetër mesazh do të vinte nga Kongresi amerikan, këtë herë nga kongresmeni Robert Aderholt. Edhe ai ashtu si kolegu i tij Rohrabacher, do të mbështesë protestat e opozitës për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Unë mbështes fuqimisht, hapat e qytetarëve shqiptarë dhe betejës së tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në kauzën e tyre të drejtë për liri dhe demokraci, shtetin ligjor, si dhe lirinë individuale”, ishte mesazhi i zotit Aderholt, duke ngritur njëkohësisht dhe shqetësimin për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. “Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen në Shqipëri më 18 qershor 2017. Unë e kuptoj që, asnjë masë konkrete nuk është marrë në implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit.
Manipulimi i zgjedhjeve vendore dhe raporti i OSBE/ODIHR mbetet një shqetësim, sidomos në lidhje me dhunimin e mundshëm të së drejtës themelore të shqiptarëve për të votuar të lirë”, thuhej në mesazhin e kongresmenit. Pra duket qartë se, Edi Rama nuk jep garanci se do të mbajë zgjedhje të lira, jo vetëm për opozitën shqiptare, por dhe për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Spërdredhjet politike për të gjetur zëra të përhumbur në arenën ndërkombëtare, të cilat kundërshtojnë këtë fakt duket se janë të dështuara, para deklaratave të përfaqësuesve të lartë të SHBA.

Enton DACI