Manjani: Zgjedhjet realisht të rrezikuara nga krimi e droga

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e cilëson të drejtë kauzën e ngritur nga opozita për protesta deri në garantimin e zgjedhjeve të lira, ndërsa shprehet se zgjedhjet e 18 qershorit janë të rrezikuara seriozisht nga pushteti i krimit dhe drogës. “Janë elementë të veçantë që i bëjnë edhe zgjedhjet realisht i vënë në rrezik nëse sistemi kriminal ose i kriminalizimit të shoqërisë është kapilar dhe biznesi i kanabisit tashmë është kapilar, nuk është vetëm një Lazarat. Kemi lugina të tëra, pllaja, pyje, male, toka të braktisura, në veri, jug dhe Shqipëri të Mesme, të cilët merren me këtë punë”, shprehet ish-ministri. Manjani është shprehur se çështjet e ngritura nga opozita duhen trajtuar me kujdes dhe jo të lihen pas dore. “Dialogu politik mungon, ka munguar dhe në të shkuarën, por gjithmonë është gjetur një sebep ose një ambasador, ose një president, ose një kryetar Kuvendi që të ulë palët në tavolinë. Këtë radhë ambasadorët mesa duket nuk e kanë me qejf këtë punë, ose nuk e kanë në axhendën e tyre. Dhe nuk mund të presim nga ata tek e fundit. Partitë tona kanë përvojë të mjaftueshme për të shkuar drejt dialogut, insistoj tek dialogu si e vetmja mënyrë që mund t’i bëjë palët të bashkëpunojnë. Zgjedhjet janë pjesë e konkurrencës, nuk do të fitojnë të gjithë. Dikush do të dalë në opozitë, dikush do të qeverisë vendin”, tha ai. Manjani reagoi edhe në lidhje me listat e Avokatit të Popullit për organet e Vetting-ut, ndërsa tha se këto lista duhen ribërë, pasi në to ka emra me mjaft probleme. Sa i përket shqetësimit për ONM, Manjani shprehet se të huajt nuk po nxisin dialog. “Të gjithë ambasadorët rezidentë që kanë qenë gjithmonë kanë nxitur dialog, kanë nxitur tryeza partish pavarësisht sesa është arritur. Por gjithmonë këtë kemi dëgjuar nga të huajt: Dialog, dialog! Këtë radhë s’e kemi dëgjuar”. “Parlamenti kishte vetëm ngritjen e KED dhe u bë shorti. Pati shumë debat dhe ka ende nëse ligji është interpretuar drejt apo gabim. Është për të ardhur keq që prokurori i Përgjithshëm, kryetari i Gjykatës së Lartë, Kushtetuese, KLD të njëjtin nen e lexojnë në mënyra të ndryshme. I bie që ky neni nuk është shkruar mirë. Por sidoqoftë ka një short dhe vendim dhe nëse nuk është goditur në rrugë gjyqësore mbetet vendim. Kjo temë quhet e mbyllur për mua. Janë bërë dhe propozimet për KLGJ dhe KLP, ka një listë me kandidatura, të cilët nuk mund të zgjidhen sepse duhen skanuar. Detyra e parë është ngritja e strukturave të Vetting-ut. Avokati i Popullit çeli konkursin dhe nga 100 e ca që kandiduan na u raportua se vetëm 29 kalojnë testin që plotësojnnë kriteret. Nuk e kisha shumë prioritet, por disa ankesa të disa njerëzve që nuk i njoh më zgjuan vëmendjen për t’u interesuar dhe nga 29 që kanë kaluar kriteret 3 ishin me përgjegjësi penale”, shprehet Manjani.