Kushëriri i ish-drejtorit kapoja i parcelave me kanabis në Ersekë

Prokuroria e Korçës ka kërkuar dënimin me 37 vjet burg për 5 persona, të akuzuar për organizim dhe bashkëpunim në kultivimin e disa parcelave me lëndë narkotike kanabis sativa në zonën e Ersekës. Në total, numri i bimëve që iu zbuluan këtij grupi në korrik 2016, arrinte në rreth 11.500 rrënjë.
Prokuroria zbulon se drejtuesi dhe organizatori kryesor është shtetasi Altin Dauti, në lidhje familjare me ish-drejtorin e Ujësjellësit të Ersekës, Orest Malushi, i arrestuar më parë për dy vepra të tjera penale. Dauti është shpallur në kërkim. Në korrik, Prokuroria informon se bimët kishin arritur në lartësinë rreth 1 metër dhe se deri atëherë nuk kishte asnjë referim apo kallëzim për situatën.

Si mori drejtimin Altin Dauti
Prokuroria informon se pas arrestimit të Malushit për “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Altin Dauti shkonte shpesh në fshatin Gostivisht, për të kontrolluar stallat me lopë që ishin në pronësi të Malushit.
Në maj 2016, Altin Dauti ka konkluduar se ajo zonë ishte e përshtatshme për të mbjellë lëndë narkotike. Për këtë arsye, ai ka angazhuar edhe disa lidhje shoqërore të tijat, nga qytete të ndryshme, për të ndërmarrë veprimtarinë kriminale.
Bashkëpunëtorët e Altin Dautit kishin për detyrë të administronin të gjithë proceset e kultivimit dhe pastrimit të lëndës narkotike, si edhe të siguronin punëtorët që do të kryenin punët në parcela.
Në korrik 2016, kur Prokuroria e Korçës mori informacion për kultivimin e kanabisit në këtë zonë, bimët kishin arritur në lartësinë rreth 1 metër. Forcat policore të mbërritura nga Tirana me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, konstatuan se parcelat ishin në zona të dukshme, por që deri në atë kohë nuk kishte asnjë referim apo kallëzim për situatën.
Një rresht me kanabis, një rresht me misër
Prokuroria informon se organizatorët, e kishin organizuar mbjelljen e parcelave në një formë të tillë që, “një rresht ishte me kanabis, ndërsa një rresht me misër”. Gjatë arrestimit të organizatorëve, janë gjetur në parcela edhe rreth 20 persona të tjerë, punëtorë, të cilët nuk kishin dijeni se bima e mbjellë ishte lëndë narkotike.
Prokuroria e Korçës kërkoi dënimin, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, si vijon: Edmond Gjata të dënohet me 8 vjet burgim, Asllan Zyba të dënohet me 8 vjet burgim, Ardian Dauti të dënohet me 7 vjet burgim, Adriatik Begaj të dënohet me 6 vjet burgim dhe Hasan Hyka të dënohet me 8 vjet burgim.
Procesi ndaj këtyre persona është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtorë. Ndërkohë, vijon me procedurë normale procesi gjyqësor ndaj organizatorit kryesor, Altin Dauti, arrestimi i të cilit nuk është bërë i mundur.