E kapi dekriminalizimi, rrihet me sende të forta zyrtari në Durrës

Një zyrtar në Durrës që u prek nga dekriminalizimi është rrahur barbarisht ditën e djeshme. Policia e Durrësit njofton sot se një ish-zyrtar vendor i Njësisë Administrave Sukth në Durrës është rrahur brutalisht nga një person ditën e djeshme. Ai është Albret Donkshi 38 vjeç dhe mësohet se është dërguar në spital në gjendje të rëndë, pasi është rrahur nga shtetasi V.L. 33 vjeç pas një konflikti banal mes tyre. Ish-¬zyrtari i Njësisë Administrative Sukth është në mesin e të dorëhequrve për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të shkuar kriminale.
Tre ditë më parë u dhunua nga nipat e ish-deputetit tjetër socialist Arben Ndoka, ish-deputeti i PS-së, Agustin Marku. Ky i fundit akuzon Policinë e Lezhës se nuk do që të kapë autorët. Marku i ka dërguar një mesazh emisionit “Studio e hapur” të gazetares Eni Vasili, ku rrëfen me pak fjalë se çfarë ndodhi tre ditë më parë në Lezhë me nipat e Arben Ndokës. Marku ka thënë se, ngjarja nuk është aq e lehtë sa e kanë dhënë mediat dhe se autorët i kanë dalë me armë në mes të qytetit dhe madje e kanë qëlluar.
Një ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha tha në emision se, Marku nuk e ka denoncuar rrahjen. “Më thanë se, Sali Berisha dje në mbrëmje në studion Tuaj ka thënë se unë nuk mund të denoncoj incidentin. Më vjen keq, por unë autorët i kam denoncuar në moment me emër e mbiemër, por është policia që nuk do t’i kapë dhe media në tërësi që ka frikë të thotë të vërtetën. Ato më kanë dalë para me armë në mesin e qytetit dhe biles kanë gjuajtur dhe nuk janë thjeshtë grushte dhe shqelma apo zënkë e momentit siç e jep media. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e tij.
Ngjarja ka ndodhur teksa Marku ka dalë nga një kafene në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë. Marku mësohet të ishte vetëm kur është sulmuar nga disa persona. Ai ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë. K. Ndoka 21 vjeç dhe S. Ndoka 18 vjeç janë shpallur në kërkim nga policia si autorë të ngjarjes. Burime konfidenciale nga policia bëjnë me dije se dy të rinjtë janë nipat e ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Ngjarja konfirmohet edhe nga Policia e Lezhës, e cila ndryshe nga Marku thotë se autorët e kanë qëlluar me mjete të forta dhe se zyrtari i PS nuk ka bërë kallëzim për këtë.