Dashamir Shehi: Protesta Basha, e ardhmja e Shqipërisë

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ishte pjesë e protestës së opozitës, e cila ka hyrë në ditën e gjashtë të saj. Kryetari i LZHK-së, tha për mediat, se protesta e drejtuar nga Basha ishte ndryshe nga protestat e tjera. “Ishte një protestë e qytetëruar, ishte protestë ndryshe, sepse edhe Basha është ndryshe, dhe kështu duhet të jetë e ardhmja e Shqipërisë, jo të thyejmë xhama. Kjo tregon sa evropiane është qendra e djathtë e politikës shqiptare”, tha Shehi. Ai gjithashtu u shpreh se, kryeministri Rama nuk duhet t’i druhej krijimit të një qeverie teknike, pasi sipas tij ajo nuk do të rrëzojë njeri nga pushteti, por do të administrojë procesin zgjedhor. “Do t‘i bashkohem protestës për solidaritet politik. Ne do vazhdojmë, por shkalla e rezistencës dhe shkalla e rritjes së protestës do na mësojnë rrugët që duhet të vazhdojmë. Jam i sigurtë, që PD e ka lënë një derë hapur për alternativa të tjera. Kemi kërkuar votim elektronik ose qeveri teknike. Kujtojnë se me qeveri teknike, Basha do të hyjë në pushtet, por qeveria teknike është për të vendosur zgjedhje të ndershme. Këta socialistët shqetësohen kot. Nuk i merr pushtetin njeriu qeveria teknike, por administron procesin zgjedhor. Jam i mendimit që duhet të hyjmë më vete, Meta të hyjë më vete, Rama me PS të hyjë me vete, që shqiptarët të kenë mundësi të zgjedhin. Por për mua të bëhet qeveri teknike. Edhe Rama duhet të jetë me qeveri teknike, se nëse është i sigurtë që fiton, nuk ka pse të shqetësohet. E majta, po mundohet ta justifikojë mungesën e PD në Parlament me procesin e Vettingut”, tha kreu i LZHK-së.