Zharrëza, 120 kilometra marshim drejt protestës

Armand MAHO

Pas 20 ditësh në grevë urie, banorët e Zharrëzës në Fier kanë kuptuar se gjëja më e mirë për të bërë që problemet e tyre të zgjidhen, është bashkimi me opozitën. 9 personat e mbetur në grevë, kanë hipur në karroca dhe së bashku me 40 të tjerë banorë të atij fshati janë nisur në këmbë drejt Tiranës, ku pritet t’i bashkohen protestuesve në qendër të qytetit. Një akt sublim, që do të thotë shumë dhe për pjesën tjetër të shoqërisë. Ditën e djeshme, ata kanë udhëtuar për rreth 8 orë, që në dhjetë të mëngjesit dhe në orën 6 të mbrëmjes kanë mbërritur në Lushnjë, ku kanë improvizuar një minikamping për të kaluar natën. Janë vetëm 48 kilometrat e para, nga 120 që duhen të përshkojnë për të ardhur në Tiranë.  E kanë kuptuar se vetëm të bashkuar me opozitën, do mund t’i bëjnë ballë shurdhërisë qeveritare për çështjen e tyre. Kanë kuptuar se vetëm vota e lirë, dhe përmbysja e kësaj qeverie është çelësi që mund t’i hapë rrugë zgjidhjes së çështjes së tyre. Banorët e Zharrzës kërkojnë që Bankers Petrolium t’i ndërpresë punimet për nxjerrjen e naftës. Shpërthimet që përdoren për këtë proces, thonë se u kanë dëmtuar shtëpitë. Thirrjet e tyre nuk janë dëgjuar. Lëkundjet e tokës në zonë vazhdojnë. Banorët kanë dhënë mesazhe të drejtpërdrejta: “Qeveria t’i bëjë mirë hesapet me këta njerëz, sepse janë me halle dhe nuk kanë çfarë të humbasin. Kjo maskaradë që u bënë atyre njerëzve duhet të marrë fund”. Ata nuk kursyen as akuzat ndaj Radio Televizionit Shqiptar, i cili nuk ka pasqyruar asnjë ditë grevën e tyre kundër Qeverisë Rama. Një televizion që paguhet me taksat e shqiptarëve, sipas tyre nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

Shpërthimet

Sot Rrugëtimi do të nisë nga Lushnja dhe do të vazhdojë derisa t’i lenë fuqitë, por sërish nuk do të ndalojnë derisa të mbërrijnë në Tiranë. Eshtë hera e dytë brenda një periudhe dy mujore, që ata hyjnë në grevë urie. Herën e parë qeveria e gënjeu në mënyrë të paturpshme. Premtoi se do të zgjidhte problemin e tyre, se do të negocionte me kompaninë, por sapo dolën nga greva e urisë nuk e mbajtën premtimin. Tashmë ka përfunduar gjithçka, dhe banorët e kësaj zone e kanë parë se problemi i tyre i parë ka të bëjë me qeverinë. Me milionat që i paguhen kopukëve atje, që Bankers Petrolium të punojë e pashqetësuar, të fitojë miliona dollarë, duke rrezikuar jetën banorëve të zonës. Banorët thonë se janë shpërthimet nëntokësore të Bankës që ua kanë bërë shtëpitë të pabanueshme. Qeveria bëri sikur i kërkoi Bankes Petrolium të ndërpresë procesin e nxjerrjes së naftës. Por tërmetet vazhdojnë. Kompania e kryen aktivitetin po njësoj dhe qeveria mbyll sytë. Ndaj protestën do ta zhvendosin para Kryeministrisë. Sepse qeverinë e akuzojnë se nuk mbron interesat e tyre, por të klientëve të fuqishëm. Në protestë janë edhe naftëtarët e Ballshit dhe të Fierit. Dita e sotme do të jetë një tjetër ditë marshimi për ta.

Viktima të korrupsionit

Patoz Marinza dhe fshatrat përreth saj, kanë rënë pre e një makutërie, e cila po shfrytëzon pa karar resurset e këtij vendi. Ajo që po ndodh është e thjeshtë. Resurset e naftës në sipërfaqe janë pakësuar nga përdorimi dhe nxjerrja prej dekadash e naftës në këtë vend. Për të marrë naftën që ndodhet në thellësi, kompania duket se ka gjetur mënyrën më të thjeshtë, atë me anë të shpërthimit, e cila trazon vendburimet dhe i bën më lehtë të arritshme. Banorët shprehen se, vetëm për muajt tetor-nëntor janë regjistuar rreth 900 lëkundje sizmike të ardhura si pasojë e shpimit me anë të shpërthimit me ujë teknologjik. Pra, 900 lëkundje për 2 muaj ka një mesatare prej rreth 15 lëkundjesh në ditë. “Nuk mund të vemë dot as gjumë në sy, pasi kemi frikë se çatia mund të na shëmbet nga çasti në çast dhe kemi fëmijë”, tregon një banor. Me këtë frikë, ata jetojnë prej vitesh, por muajt e fundit, sidomos pas shitjes së ARMO babëzia sikur është shtuar, kjo dhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare.

Naftëtarët në çadrën e Lirisë, Basha: E gjithë Shqipëria sot është Zharrëz

Qindra naftëtarë nga Fieri, Patosi, Marinza, Ballshi, Roskoveci, iu bashkuan dje protestës në Sheshin e “Lirisë”. Naftëtarët mbanin në dorë pankarta ku denoncojnë padrejtësinë ndaj tyre dhe thirrjen për t’u bashkuar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i mirëpriti naftëtarët dhe i garantoi se interesat e tyre do të jenë prioritet për të. Këta ishin pjesa e parë e naftëtarëve, ndërkohë që në ditët në vijim pritet t’i bashkohen dhe banorët e Zharrëzës që janë nisur në këmbë për ta zhvendosur grevën para Kryeministrisë.
“Ta dinë mirë se çdo përpjekje për të bërë pazar me shpresën, me besimin, aspiratën e shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të dështojë me turp. Para çdo interesi tjetër, para interesit tim, para interesit të PD, para interesit të opozitës, është interesi juaj dhe i çdo qytetari shqiptar. Të flasim çfarë realisht ndjejmë”, tha Basha.
Ftesës së kryetarit iu përgjigjën naftëtarët, të cilët ngritën shqetësime të ndryshme për mënyrën si janë trajtuar në punë apo mungesën e njohjes së kontributeve dhe viteve të punës së tyre.
Një nga naftëtarët falënderoi kryetarin Basha për atë që e quajti seancë plenare me dyer të hapura në Sheshin e “Lirisë”.
“Ajo naftë që ju keni nxjerrë gjithë jetën tuaj, ka krijuar Fierin, Patosin dhe një pjesë të Shqipërisë. Ata morën arin dhe ju lanë të zezën. Ajo që ilustron arrogancën dhe zhvatjen është kryefjala e sotme: Zharrëzi. E gjithë Shqipëria është Zharrëz sot”, u shpreh deputeti Kozma Dashi.
Një ish-naftëtar, të cilit shteti nuk i njeh kontributin 30-vjeçar dhe po përballet me shtetin në Gjykatën Administrative për këtë problem, thirrjen ia drejtoi grevistëve fierakë.
“I mbështes banorët që janë në grevë urie, por dua që ata të dalin dhe të vijnë këtu, sepse kjo qeveri nuk i përkrah. I lutem të dalin dhe t’í bashkohen protestave dhe këto kërkesa t’ia drejtojnë kryeministrit të ardhshëm, Lulzim Basha”.
Lulzim Basha i tha të pranishmëve se gjendja në të cilën ata ndodhen vjen, pasi një gup njerëzish vjedhin gjakun dhe djersën e tyre për xhepat e klientëve dhe se po këta njerëz, janë ata që i tremben zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Ju e dini, naftëtarët e dinë, shumica e banorëve në pellgun naftëmbajtës të zonës së jugut e dinë, po le ta themi sot këtu për çdo shqiptar, se kjo pasuri kombëtare e shqiptarëve ka një vlerë sot në treg prej 350 milionë dollarësh. Unë jam sot këtu me ju dhe do të jem me ju deri në fitore, sepse jam i vendosur që me fitoren e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të mos bëjmë thjesht dhe vetëm një rrotacion politik. Të hapim një kapitull të ri për demokracinë shqiptare, ku pushtetin do ta keni ju”.
Fundi i kësaj vale qytetare për Lulzim Bashën është vetëm një dhe i kushtëzuar.
“Jam këtu për të garantuar se kjo lëvizje e madhe popullore nuk mund të përfundojë pa u siguruar që qeveria e ardhshme, prej ditës së parë deri ditën e fundit kur të vijë me zgjedhje të lira, i bindet vetëm zërit tuaj. Nafta, mineralet, bujqësia, pasuritë e ndryshme të këtij vendi do t’u kthehen shqiptarëve , fuqia ekonomike do t’u kthehet shqiptarëve, vetëm kur të kemi një qeveri që ka dalë nga vota e lirë dhe e ndershme. Që ju të vendosni, që ju të jeni sovrani, por jo për një ditë, por çdo ditë, 365 ditë në vit”, pohoi Basha.
Ftesën për bashkim në Sheshin e “Lirisë” kryetari i selisë blu ia drejtoi edhe njëherë naftëtarëve, zëri i të cilëve po injorohet nga pushteti.
“Dua t’i bëj një thirrje çdo naftëtari, çdo punonjësi të këtij sektori, të ngrihen aty ku janë, akoma më mirë të vijnë këtu në këtë shesh në Tiranë, të bashkohen me këtë valë të madhe popullore. Zgjidhja është zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një qeveri që mendon për ju”, deklaroi Basha.