Strakosha firmos kontratën e re, pritet njoftimi i klubit

Nuk ka më asnjë dyshim, Thomas Strakosha do të vazhdojë të jetë një futbollist i Lacios edhe për shumë vite. Portieri shqiptar, i cili shihet edhe si e ardhmja e katërkëndorit të Kombëtares, përveçse të këtij klubi italian, ka arritur akordin me drejtuesit bardhekaltër për të zgjatur marrëveshjen me të dhe sot ka hedhur firmën në kontratën e re.
Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, kishte siguruar prej kohësh një “po” nga futbollisti, me babain e të cilit, Foto Strakoshën, ka një miqësi të ngushtë. Por është pritur sa të qartësoheshin disa çështje brenda klubit para se të mbyllej edhe formaliteti i firmës në letër. Sipas “RadioSei”, ajo ka ardhur sot, duke lidhur Strakoshën me Lacion deri më 30 qershor 2022.
Kjo kontratë parashikon edhe një përmirësim të ndjeshëm të kushteve financiare për futbollistin shqiptar, i cili bëhet kandidati i parë për të zënë vendin Federiko Marketit, kur ky i fundit të largohet nga Lacio.
Edhe pse në mediat italiane është përfolur se Matia Perin apo Kejlor Navas mund të jenë portierët e Lacios në të ardhmen, në klub të gjithë duken të bindur se herët e vonë, Strakosha do të zbresë rregullisht në fushë me fanellën e klubit të kryeqytetit italian, edhe më shumë se sa po bën aktualisht kur është përgjigjur i gatshëm sa herë që Marketi ka shfaqur problemet e tij të zakonshme fizike.