Një detaj nga 20 Shkurti

Arben GABRAJ

Ky i ftohtë janari i motmotit të ri sikur ma freskoi pak memorien e thashë të kthehem pas në kohë siç thonë amerikanët, Remembering the Old Times. Më ngacmoi pak viti i ri kinez. Viti i gjelit. Dhe ata emigruan për në shtëpi të festojnë. Dhe unë po emigroj ose kthehem prapa në kohë për të kujtuar në radhë të parë veten, më pas edhe të tjerët, sidomos ata që e kanë harruar me dashje apo dhe ata që e kanë harruar pa dashje. Apo edhe të sotmit që nuk duan ta kujtojnë, të gjithë rilindasi-byroistat, facebook-istat, shoqatistat, civilistat, rinistat, sorosistat i t.d. Kjo e fundit ishte në gjuhën e kominternit për të gjithë ata që përmenda (po ruski-etj). Si sot 26 vjet më parë në të fundmit e Mohikanëve (ne dhjetoristat) dhe populli përmbysëm dhe tërhoqëm zvarrë diktaturën dhe shtatoren e diktatorit. Po për t’jua kujtuar po bëj pak Evla Celebiun. Sepse historia duhet kujtuar. Ai popull që nuk kujton historinë e vet nuk shkon larg. Ajo parti që harron gjenezën e vet është e destinuar të shkërmoqet. Në dhjetor është pluralizmi. Është fillimi dhe burimi i çdo përmbysje të re. Shkurti i vitit të largët dhe të afërt ‘91 erdhi me zhurmë si vetë dimri i lagësht dhe i butë i atij motmoti. Dhjetori dhe janari u lanë pas. Por mbetën në histori. Muajt më me rëndësi në gati gjysmë shekulli. Në sajë të 8 dhjetorit ne studentët kërkuam pluralizëm dhe ishte arritur. Ishte themeluar Partia Demokratike dhe të tjerat. Ishin thyer kufijtë. Diktatura ishte me një këmbë. Vullnetaristët, enveristët, monistët edhe në grahmat e fundit e me një dhemb në gojë donin të kafshonin. Pra, horizonti dukej akoma gri dhe jo blu. Universiteti mbante emrin e diktatorit. Shtatorja e tij gjendej përballë Skënderbeut sikur na sfidonte ne dhe atë. Fillim shkurti besoj data 3 e atij motmoti. Na vijnë haberet se shokët tanë të Institutit Bujqësor në Kamzë janë ngritur në protestë dhe kërkojnë kushte më të mira jetese. Në konvikte dhe në auditore. Në darkë rreth orës gjashtë televizioni i diktaturës e konfirmoi dhe tha pak a shumë se studentët e Kamzës ishin në protestë. Se çaji ishte pa sheqer. Ata ishin mbledhur tek Amfiteatri i ILB-së. Të drejtuar nga studentët Muslim Murrizi, Osman Stafa, Abdyl Matoshi etj., të më falin që s’po i përmend të gjithë, kishin bojkotuar mësimin dhe po protestonin. Lajmi në TVSH tha se në mjediset e ILB-së, ishin parë Azem Hajdari dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike. U aludua se protesta kishte prapavijë politike dhe ishte organizuar në fshehtësi nga PD. Duke qenë se pas disa ditësh protestë ra në vesh të shurdhët u vendos që studentët e Kamzës të marshonin në Tiranë dhe bashkërisht me studentët e Universitetit të Tiranës të përshkallëzojmë protestën pasi tashmë kishte jo më kërkesa ekonomike, por kërkesa me karakter politik. Më datën 5 u mblodhëm të gjithë në Qytet Studenti. Ishte krijuar dhe një Komision Nismëtar. I vetëshpallur pasi nuk i kishte votuar kush. Personazhet dihen nuk po flas sot për ta se nuk e kam këtë qëllim se ata flasin vetë, biles edhe atëherë nuk e lëshonin mikrofonin. Thjesht e bëj për memorie dhe ata heronjtë e heshtur që ishin shpirti i revolucionit, që rrezikuan dhe bënë gjithçka dhe nuk kërkuan asgjë vetëm “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Në ajër u përhapën tingujt që lëshonte fonia rock & roll. Dikush për ata tinguj të Jim Morrison ishte burgosur në Spaç, të tjerë fati i kishte ndihmuar. Por sot i dëgjonin lirshëm. Ishin mbledhur me mijëra në sheshin para mensave të QS-së. Studentë po edhe qytetarë të Tiranës. Flisnin nismëtarët me radhë pa e lëshuar ndonjëherë fliste edhe dikush tjetër, por rrallë. Shquhej Blendi Gonxhe meqë ishte te Akademia e Arteve. Ai filloi të shpotiste diktatorin. Lexonte pjesë nga veprat apo çka kishin shkruar për të. “Me një brisk rruhesh 10 herë”. Lexonte ai dhe ne poshtë i përgjigjeshim: “O Enver”. Po përpiqem të kujtoj vetëm episodet më të veçanta se për të treguar ka shumë. Kështu vazhdoi për ditë me radhë. Kërkesat tona morën karakter politik. Kërkuam heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti ynë. Edhe diktatori edhe demokracia s’mund të rrinin bashkë. Nga PPSH dhe Ramiz Alia s’kishte përgjigje. Mitingjet vazhduan për një javë rrjesht. Më datën 13 shkurt bëmë një tubim të madh për nga pjesëmarrja dhe kërkesat që u shtruan. Foltorja ishte ndryshe nga zakonisht. Ishte vendosur në lulishten përballë godinës 17, që banonin vajzat e Fakultetit Juridik. Për shkak të pjesëmarrjes. Folën oratorët si gjithmonë, por këtë radhë na u bashkuan edhe studentë të Akademisë Ushtarake dhe Shkollës Skënderbeg. Foli një në emër të tyre. Jam Adem Krasniqi tha, nxori nga xhepi i xhaketës diçka në ngjyrë të kuqe. Kjo është tesera e PPSH-së që s’kishte shumë kohë që e kishte marrë. Që nga ky moment unë i bashkohem lëvizjes dhe e grisi para të gjithë pjesëmarrësve. (gojët e liga thonë se dikush kishte shkruar 13 faqe kundër tij te Sigurimi i Shtetit, sot ndoshta ai është sorosist). Asnjë përgjigje për kërkesat tona. U vendos që deri më 18 t’i lihej afat Partisë së Punës për heqjen e emrit në të kundërt do të kalonim në sakrificë sublime. Do të hynim në grevë urie. Lajmi u lançua nga Komisioni Nismëtar i Grevës. Njëkohësisht filloi mbledhja e firmave. Lagështisë dhe butësisë së atij dimri çuditërisht po ja zinte vendin i ftohti. Gati po binte borë po nuk mbajti. Shkruam emrat në listë unë dhe Theodhori Dhimitri dhe studentë të tjerë të Inxhinierisë Elektrike. Listën e kishte Ndue Lugja që mbante gjithmonë një megafon në dorë dhe Ilir Disdari. Të tjerët do i regjistronte Theodhori si përfaqësuesi ynë pranë Komisionit të Grevës si më i madhi nga ne dhe më i flakti. Partia e Punës siç duket e frikësuar mori masa dhe mbylli universitetin për një kohë të pacaktuar. Një pjesë e studentëve u larguan. Mbetën vetëm Warriors (më luftarakët). Nuk kishte edhe shumë kohë, më pak se një javë. Ditët kaluan fluturim si pa u ndjerë. Partia e Punës e kishte bërë shurdhën për kërkesat tona. Heqja e emrit të diktatorit nga universiteti ynë. Çasti sublim erdhi. Pasi u mblodhën firmat për një javë rresht ora një e datës 18 shkurt erdhi. Pasi u mblodhëm tek sheshi para mensave dikush nga Komisioni Nismëtar lajmëroi nga foltorja se do të ngujoheshim në Kinoklubin e Qytetit Studenti deri në heqjen e emrit të diktatorit universitetit. U mblodhëm para derës së Kinoklubit. Tek dera ishte vënë një flamur kombëtar. Listën e kishin nënshkruar shumë, rreth 700 e ca vetë. Pranë flamurit qëndronin në këmbë Ndue Lugja dhe Ilir Disdari. Ndueja me megafon në njërën dorë dhe në tjetrën një tufë letrash gjysmë të zhubrosura. Thirri dy-tri emra. Hynë me radhë. I katërti Theodhor Dhimitri. Hyri edhe Dhori (të gjithë i thërrisnim Lolo ngaqë ishte shakaxhi dhe i binte kitarës). Emri tjetër i katërti thirri Nuja emrin Arben. Po mbiemrin e shqiptoi Gjebrea dhe jo Gabraj. Nga shpejtësia kuptohet, por aty për aty e korrigjoi Ilir Dizdari se njiheshim, ishte viti i dytë elektrike dhe ne i pari. Ndueja s’kishte faj se ishte tek minierat. (Urithat siç i thërrisnim ne me shaka). Ndenjëm pak kohë në korridor. Ora ishte aty rreth dy plus minus çerek ore. Ndarja ishte bërë sipas fakulteteve. Inxhinierisë Elektrike i ra salla e katit të dytë majtas me pamje nga fusha e futbollit. Në sallë mbushur me karrige treshe kinemaje druri me kompensato. Salla ishte veshur me beze të kuqe dhe tabela dhe tabela emulacioni. I grisëm të gjitha perdet dhe i bëmë shirita të hollë me të cilët lidhëm kokën simbol i grevës së urisë. Hyrja e njerëzve vazhdoi gjatë deri në darkë vonë. Numri i grevistëve kishte shkuar në 723 vetë. Kjo ishte zyrtare. Mund të jenë më shumë ose më pak, pak rëndësi ka. Grevës ju bashkuan edhe të nesërmen. Nga darka vonë na thanë se policia nuk lejonte futjen e rrobave dhe batanijeve. Kuptohet ishte ftohtë. Ishte akoma pa dalë dimri. U bëmë me shenjë shokëve të na sillnin batanije. Nga ora një e natës na i sollën. Kishin hipur nëpërmjet pishave në çatinë e Kinoklubit dhe nëpërmjet zavrakut na i sollën poshtë. Atmosfera brenda ishte e ndezur dhe optimiste. Grevistët ishin mbledhur grupe-grupe sipas fakulteteve, dikush diskutonte, dikush tjetër luante me letra. Vonë shumë u munduam të flemë. Ashtu në karrige. Gjumë s’kishte. Me Theodhorin sajuam një si punë shtrati si bashkim karrigesh. Po pak më vonë ia liruam një vajze. Nata e parë vazhdoi e qetë. Kaloi si pa u ndjerë shumë. Të nesërmen e datës 19 herët u mblodhën para një televizori për të pritur ndonjë lajm. Nga Komisioni i Grevës na vinin habere se atë ditë mblidhej Byroja Politike apo Komiteti Qendror për të marrë një vendim. Jashtë Kinoklubit ishin mbledhur me mijëra përkrahës, që na jepnin kurajo dhe mbështesnin. Nga dreka shoku im i klasës Rezart Isufi më thirri dhe më thotë se te dera është Dr. Berisha, por s’e linin të hynte sepse komisioni kishte marrë vendim të mos lejoheshin forcat politike meqenëse PPSH akuzonte PD se qëndronte prapa studentëve. Shkoj te dera dhe gjej Arjan Manahasen, anëtar i Komisionit Nismëtar (të vetëshpallur) dhe i them që të hapte derën. M’u përgjigj me zë të shtjerrur që mezi i dilte se nuk lejohen partitë politike. Hap derën shpejt i thashë se ky është profesori ynë. S’bëri zë dhe e hapi me të shpejtë. Berisha më dha dorën dhe dukej shumë i ngazëllyer siç dukej e parandjente atë që do të ndodhte nesër. Orët dhe minutat kalonin dhe lajmet që vinin nga jashtë ishin të zymta. Në ora gjashtë në lajme TVSH njoftoi se Pleniumi i PPSH nuk kishte pranuar heqjen e emrit. Me vete të gjithë u përbetuam se nuk dilnim që aty pa u hequr emri i diktatorit. Populli po mblidhej rreth nesh. Sindikatat do të organizonin tubim në Qytet Studenti. U bëhej thirrje gjithë qytetarëve të Tiranës t’i mbështesnin bijtë e tyre studentët. Diktatura po fillonte të mposhtej. Po binte nata e dytë e grevës. Kishin filluar problemet e para. Ishin shtuar lëvizjet e mjekëve. Dikujt i kishte rënë edhe të fiktë. Dikush pushonte nën batanije për të marrë forcat, shumica diskutonin të gatshëm për vetëflijim. Orët dhe minutat sikur tani lëviznin me ngadalë. Dikush nga shokët dëgjova të thoshte se nga dega jonë ishin bërë 48 a diçka më shumë, por nuk kishte rëndësi. Ngadalë po i afroheshim datës 20 shkurt. Kishte kaluar nata e po afrohej dita e re. Një qetësi e thellë kishte rënë në sallat dhe dhomat e Kinoklubit. Ora 4 e 45, më duket sikur është tani. Një zë theu heshtjen. Në derë Shejnasi Rama, Ndue Lugja, Ilir Disdari e disa të tjerë komisionista të vetëzgjedhur ose vetëshpallur . Nismëtarë si të doni quajini. “Erdhëm t’ju komunikojmë se kemi rënë dakord që Universiteti i Tiranës të ndahej në katër universitete. Është rënë dakord me Ministrinë e Arsimit”. Dukej që ishin marrë vesh. “Kush jeni ju i thashë?”. Komisioni Nismëtar tha një prej. Kush ju tha të negocioni aq më pak pa na pyetur? Nuk pranojmë asnjë lloj zgjidhje, vetëm heqjen e emrit të diktatorit thashë. “Shkoni e thoni se nuk pranojmë” foli Theodhor Dhimitri. Pastaj u ngritën të gjithë. Nismëtarët u tërhoqën. Dikush si më finoku prej tyre u përdrodh e tha se ne erdhëm të merrnim mendimin tuaj. Por ishte vonë dhe përgjigjen e morën aty për aty. Janë të njëjtit që dekorohen në çdo përvjetor. Dalin në ekrane në çdo përkujtim si atëherë kur nuk ja lëshonin kujt tjetër mikrofonin. Disa prej tyre kishin festuar edhe ditëlindjen në bllok me Gjinushin që ua përmendi në debat televiziv shumë vjet më vonë. Por nuk ka shumë rëndësi ligji i të kundërtave dhe rregulli i pasqyrave veprojnë gjithmonë. Sot po shkruaj për ata heronj të heshtur që s’kërkuan as dekorata kurrë. Natës së errët po ja zinte dita e njëzet e shkurtit. Mijëra njerëz mbushën Qytetin Studenti. Ne vështronim nga dritaret të rraskapitur po me shpresë. Nga ballkoni i godinës gjashtë foli Rajmonda Bulku. Populli u nis drejt Sheshit Skënderbej. Të tjerat i dinë të gjithë. E kisha merak të kujtoja detaje në respekt dhe mirënjohje të të heshturve që sakrifikuan shumë dhe pati sukses atëherë ai revolucion demokratik. Ju lutem kronikanëve të mos m’i vjedhin ose të paktën të mos m’i përvetësojnë apo ndryshojnë çka shkrova më lart. Se desh harrova shtatorja e diktatorit kishte rënë. E pamë dhe e kishim marrë. Dolëm në oborr disa, ne kuptohet me gëzim. Nga poshtë po ngjitej drejt Kinoklubit një siluetë. Dallohej nga të tjerët. Ishte Skënder Gjinushi. Erdhi me dy gishtat të ngritur lart. Ndoshta për herë të parë dhe të fundit në jetën e tij. Kyptohet tashmë çdo gjë kishte marrë fund. Nga ora gjashtë grevën e mbyllëm. Në heshtje jo siç e filluam. Asnjë nga Komisioni i Grevës nuk foli, as megafon nuk kishte. Të nesërmen e datës 21 u dëgjuan krisma.
Përfundim. Atëherë nuk kishte “Selfie”. Kishte selfie të Sigurimit në çdo qoshe. Dhe selfie vullnetaro-enverist në çdo skutë.

I shtatëqind e njëzet e treti student i grevës së urisë
Nuk dua dekoratë