Minatorët kërkojnë zbatimin e menjëhershëm të ligjit për Trepçën

Minatorët e minierës së Trepçës në Stantërg, i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që të fillojë së zbatuari ligjin për kombinatin dhe të krijojë kushte më të mira të punës për ata. Isuf Beqiri, minator në minierën e Stantërgut që prej vitit 1978, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç moszbatimit të Ligjit për Trepçën, ata po përballen edhe me kushte të vështira të punës.
Sipas tij, minatorët e Trepçës janë të harruar nga institucionet e Kosovës dhe se nuk po punohet asgjë në krijimin e kushteve më të mira për ta. “Nuk është bërë asgjë për neve minatorët. Një ligj që është bërë nuk ka filluar të zbatohet akoma. Gjendja e minatorëve është e vështirë, nuk kemi as sigurime shëndetësore, që nga pas lufta nuk kemi asgjë. Qeveria e Kosovës duhet të marrë masat për përmirësimin e kushteve të minatorëve”, thekson Beqiri.
Lidhur me zbatimin e Ligjit për Trepçën, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në tetorin e vitit të kaluar, minatorët e Trepçës dhe udhëheqësit e këtij kompleksi metalurgjik thanë se autoritetet e vendit kanë treguar neglizhencë. Më 7 tetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtohet të rimëkëmbet dhe rivitalizohet ndërmarrja.