Memushaj metodat e pazakonta të Zemanit në stërvitje

Pas fitores 5-0 ndaj Xhenoas të dielën, te Peskara e Ledian Memushajt dhe Leonardo Malokut është rikthyer entuziazmi dhe shpresa për t’i mbijetuar rënies në Serinë B. Një arsye më tepër për të besuar është edhe rikthimi i trajnerit Zdenek Zeman, i cili në sezonin 2011-2012 e ngjiti ekipin abrucez nga liga e dytë në elitë.
Tekniku çek është i njohur jo vetëm për filozofinë e tij si pak të tjerë për futbollin, por edhe për metodat e veçanta që përdor në stërvitje. Pas triumfit ndaj xhenovezëve, 69-vjeçari pati paralajmëruar: “Një mijë metra vrap dhe stërvitje në shkallë”.
Këtë metodë bohemi e zbatoi në stërvitjen e të martës paradite, kur i zhvendosi lojtarët nga fusha në shkallët e stadiumit për një seancë forcimi. Synimi i Zemanit është t’i rikthejë futbollistët në gjendje për të përballuar pjesën e fundit të kampionatit. Kur kanë mbetur edhe 13 javë, Peskara mbyll renditjen me 12 pikë, -10 nga zona e mbijetesës.