INSTAT: Çmimet në Shqipëri u rritën në janar 2017 sa dyfishi i mesatares së BE-së

INSTAT publikoi për herë të parë dje Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), i cili ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare dhe të huajve në tregjet e pakicës. Ky indeks rezultoi 4% për Shqipërinë, niveli më i lartë në Evropë sipas INSTAT. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin janar 2017 është 4,0% në Shqipëri. IHÇK-ja mesatare në vendet e BE u rrit me 1.8%, ndërsa në Shqipëri më shumë se dyfishi i kësaj vlere. Ndryshimi i çmimeve në kahun rritës pas Shqipërisë, ishte më i lartë në Belgjikë, Spanjë, Lituania etj.
Sipas INSTAT, ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije alkoolike” me 8,5%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “Argëtim dhe kulturë” me 2,8%, “Transport” me 2,7% etj. Në muajin janar 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 2,5%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të frutave dhe zarzavateve, gazit të lëngshëm për makina, etj.
INSTAT shpjegon se në IÇK mbulohen vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit. Ndërsa IHÇK mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private dhe institucionale, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet europiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Europës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Europiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Unionin Ekonomik dhe Monetar.