Haley: SHBA kërkon bashkëpunim me BE-në

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley tha të martën se, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me aleatët europianë, megjithë disa mosmarrëveshje rastësore.
“Në fund të ditës, askush nuk duhet t’i keqinterpretojë mosmarrëveshjet e rastësishme për politikat dhe debatet tona si sinjal për asgjë më tepër, se sa përkushtimin tonë të plotë ndaj aleancave tona në Europë. Ky përkushtim është i fuqishëm”, tha ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara në fjalën e saj në Këshillin e Sigurimit.
Ambasadorja Haley, po ashtu e cilësoi NATO-n si “aleaten më të fortë në histori” dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara janë duke u përpjekur për ta bërë organizatën “edhe më të efektshme”.
Komentet e zonjës Haley janë jehonë e komenteve të nënpresidentit Mike Pence të hënën në Bruksel, kur ai i tha sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj aleatëve të tyre në NATO, por se edhe vendet e tjera duhet të ndajnë barabar kontributin financiar për mbrojtjen.
Ambasadorja Haley tha se ajo beson që Shtetet e Bashkuara mund të kenë një marrëdhënie më të mirë me Rusinë, por bashkëpunimi më i mirë me Moskën, sipas saj, nuk mund të realizohet në kurriz të miqve dhe aleatëve europianë.
“Kjo është arsyeja përse ne i bëjmë thirrje Rusisë të tregojë përkushtim ndaj paqes, duke zbatuar plotësisht premtimet e saj në marrëveshjen e Minskut, për t’i dhënë fund pushtimit të Krimesë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të bashkuara në qëndrimin e tyre, duke i mbajtur në fuqi sanksionet, derisa Moska të respektojë plotësisht marrëveshjen e Minskut”, tha ambasadorja Haley.
Në Marrëveshjen e Minskut të vitit 2015, Ukraina, Rusia dhe separatistët me mbështetjen e Rusisë ranë dakord t’i japin fund krizës në Ukrainë, duke filluar me tërheqjen e armatimeve të rënda.