Fleckeinstein: Vettingu pas zgjedhjeve, protesta e drejtë e opozitës

Raportuesi i Shqipërisë në PE, Fleckenstein la të kuptohej dje se nuk ka arritur ta bindë Bashën të ndërpresë protestën. Ai tha se “nuk më lejohet të ndërhyj tek kërkesa e opozitës për protesta, por unë do të doja që procesi i Vettingut të vazhdojë, pra të mos ndalojë. Por nëse kjo do të ndodhë, Vettingu mund të bëhet pas zgjedhjeve”, tha ai. Sipas eurodeputetit, e gjitha është në dorë të politikanëve shqiptarë dhe jo e atyre që vijnë nga Brukseli. “Të gjithë e dimë që procesi i Vettingut është kyç, jo vetëm për të korruptuarit, por edhe për të treguar se ka njerëz të pakorruptuar. Biseduam me Vasilin dhe Gjoshën dhe dëgjuam se mund të ketë disa probleme teknike, që mund të duhet një dakordësi mes Shqipërisë dhe BE. Ne kemi edhe një problem tjetër dhe jemi këtu që së bashku të luftojmë për këto synime të përbashkëta”, tha Fleckenstein.