Dy të vdekur dhe dy të plagosur në katër aksidente

Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në 4 aksidente që ndodhën në Tiranë, Shkodër dhe Fier. Një aksident me pasojë vdekjen e një gruaje ka ndodhur dje në hyrje të Tiranës. Ngjarja në fjalë ndodhi tek ‘Dogana’. Bëhet e ditur se, viktimë e aksidentit ka ngelur një 61-vjeçare nga Kukësi, e cila ishte duke kaluar rrugën bashkë me burrin e saj. Pavarësisht se R. Gjeta u nis me urgjencë drejt spitalit, ajo ndërroi jetë gjatë rrugës. Viktima i ka ndërprerë rrugën automjetit, ndërsa nuk ishte duke kaluar tek vijat e bardha. Sakaq, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjes.
Po ditën e djeshme, një tjetër aksident ka ndodhur në Tiranë. Një person është aksidentuar ditën e djeshme përballë Parlamentit. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se ambulanca nuk ka shkuar në vendngjarje, ndërsa i plagosuri ka qëndruar i shtrirë përtokë. “Zotëria pësoi një aksident dhe mbeti në mes të rrugës. Ndërkohë që ambulanca dhe pse është njoftuar prej 30 minutash ende nuk ka ardhur. 30 minuta dhe jemi në mes të Tiranës. Askush nuk e di nëse zotëria do t’ja dalë dot apo jo, kaq shumë sa u vonua ambulanca”, bëri të ditur dëshmitari.
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor Shkodër–Golem. Forcat e policisë kanë konstatuar se një motoçikletë tip “Yamaha” me targë AE 695, me drejtues Osman Mataj 51 vjeç, banues në Postribë, Shkodër është përplasur me një tjetër motoçikletë “Dayang”, pa targa, me drejtues shtetasin Agron Velijaj 48 vjeç, banues në Postribë, Shkodër. “Për pasojë, shtetasi Osman Mataj ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa shtetasi Agron Velijaj, u transportua në Spitalin Rajonal Shkodër, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, tha policia.
Shkaku i aksidentit dyshohet të jetë mos respektimi i sinjalistikës rrugore nga ana e shtetasit A. Velijaj, ndaj të cilit do të kryhen veprimet procedurale dhe do të arrestohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Po ashtu një aksident ka ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor Fier-Seman, ku motoçikleta është goditur nga mbrapa nga autobusi. I plagosuri, shtetasi Devoll Dogani, banues në Afrim i Ri është transportuar në spital, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit.