Bota ka nevojë për Bashkimin Europian

Javier Solana

Bota ka nevojë për Bashkimin Europian, sot më shumë se kurrë. Pavarësisht nga kriza e fundit dhe goditjen e rëndë që mori prej Brexit, BE-ja mund të jetë vija më e mirë mbrojtëse në botë, përballë rreziqeve të sotme më serioze: izolimit, proteksionizmit, nacionalizmit dhe ekstremizmit në të gjitha format, që janë edhe një herë në rritje kudo, në Evropë dhe më gjerë. Çelësi për t’i mundësuar BE-së që të përmbushë këtë “mision” – për të shpëtuar veten dhe botën nga katastrofa – është që shtetet anëtare të miratojnë urgjentisht parimin: “Bashkimi Europian i pari!”.
Ndryshe nga kredoja “America First” (Amerika e para), të përqafuar nga Presidenti Donald Trump, një parim i tillë nuk do të ishte një ushtrim i unilateralizmit të dëmshëm. Përkundrazi, ai do të detyronte qeveritë e shteteve anëtare, që të shohin përtej interesave të ngushta kombëtare, të mbrojnë hapjen dhe multilateralizmin, si dhe të përballen sy më sy me forcat përjashtuese politike, që kanë fituar terren kohët e fundit. Kjo gjë do i shtynte shtetet anëtare që të konsolidojnë BE-në, duke i mundësuar që të kapërcejë sfidat me të cilat përballet dhe të ndihmojnë për ruajtjen e rendit ndërkombëtar.
Ai rend nuk është as një aksesor i parëndësishëm dhe as një relike e pasluftës. Ai ka mbështetur prosperitetin dhe stabilitetin global për 70 vjet. Ne kemi nevojë për të – së bashku me multilateralizmin mbi të cilin është ndërtuar – për t’u përballur me shumë nga sfidat ekonomike, mjedisore dhe strategjike që ndeshim sot, sfida të cilat nuk mund të trajtohen në nivel kombëtar.
Një gur themeli i rendit ekzistues ndërkombëtar është pranimi se ruajtja e paqes dhe mirëqenies njerëzore kërkon një kuptim dhe respektim të nevojave dhe interesave të të tjerëve – nevoja dhe interesa që janë jo më pak të ligjshme se tonat. Multilateralizmi nuk është një produkt i solidaritetit të paqëndrueshëm, si pretendojnë disa; ai është rezultat i një interpretimi të kthjellët të interesave të gjithsecilit. Me një qëndrim konstruktiv, edhe një numër i madh aktorësh të ndryshëm mund të arrijnë marrëveshje, në të cilat të gjithë fitojnë dhe japin nga pak; pa të, perspektiva për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet, bëhet shumë më e zymtë.
Në qoftë se të gjithë vendet e botës, vënë interesat e tyre në plan të parë, duke mos ua vënë veshin të tjerëve, shumë shpejt konkurrenca do të dalë mbi interesat e përbashkëta. Në qoftë se askush nuk është i gatshëm të japë, të gjithë do të humbasin. Nëse do të varemi vetëm nga marrëveshjet dypalëshe, hapësirat e përbashkëta dhe sinergjitë që lehtësojnë marrëveshjet mbi tema të vështira, por jetike – që nga ndryshimet klimatike deri tek siguria – do të ngushtohen, derisa do të zhduken fare.
Si fuqia udhëheqëse në botë, SHBA përcakton tonin e bashkëpunimit dhe shpeshherë ofron stimujt për vendet e tjerë, që të bëhen pjesëmarrës. Nëse SHBA mban një qëndrim unilateral dhe izolacionist, vendet e tjera pothuaj me siguri do e ndjekin pas, duke vënë në rrezik të gjithë – edhe vetë SHBA.
Kohët e fundit, administrata Trump ka filluar të moderojë disa nga pozicionet e saj në politikën e jashtme. Në veçanti, Trump ka rënë dakord më në fund për të nderuar politikën e “Një Kinë e vetme”. Ai gjithashtu duket se ka korrigjuar qëndrimin e tij ndaj Japonisë, pasi kishte shkaktuar dyshime rreth gatishmërisë së tij për të ecur përpara me angazhimet e Amerikës në drejtim të sigurisë. Këto zhvillime nënkuptojnë se administrata ka filluar të pranojë nevojën për një qasje më konstruktive.
Një vetëdijësim i tillë mund të burojë pjesërisht nga një kuptim i historisë. Përvoja ka treguar se mënyra më efikase për të parandaluar konfliktet, është përmes gjithpërfshirjes dhe bashkëpunimit. Retorika përjashtuese shkon në favor të atyre që reduktojnë identitetin, në përcaktime nativiste. Kur figura të tilla – nacionalistë dhe populistë – janë lënë të udhëheqin politikat në të shkuarën, rezultati ka qenë konflikt në shkallë të gjerë.
Në një kohë kur dinamikat e fuqive globale janë në vërshim, si ndodh sot, rreziku i një rezultati të tillë është edhe më i madh. Sot po bëhet një përpjekje për të përfshirë fuqitë e reja – veçanërisht Kinën – më thellë në strukturat ekzistuese të qeverisjes globale. Hedhja e dyshimeve mbi këto struktura, të cilat kanë ruajtur stabilitetin përgjatë shtatë dekadave të fundit, thjesht do të nxisë më shumë nacionalizmin dhe konkurrencën, duke i hapur rrugë luhatshmërisë dhe konflikteve.
Nëse SHBA nuk do të mbështesë stabilitetin global, modeli dhe përvoja e BE-së do të bëhen edhe më e rëndësishme. BE-ja është mishërim i gjithpërfshirjes, bashkëpunimit dhe vlerave demokratike. Megjithë të metat e saj, BE-ja ka provuar herë pas here, se diferencat mund të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe konstruktive. Shtetet anëtare të saj janë të angazhuar në mënyrë unike për multilateralizmin; në të vërtetë, ne e praktikojmë atë çdo ditë.
Rezultatet flasin vetë. Askush nuk mund të dyshojë se BE-ja ka qenë një garantues i paqes, demokracisë, modernitetit dhe progresit, për të gjithë anëtarët e saj. Modeli i saj i komunitetit – që kërkon bashkëpunim, negociata dhe kompromis për të arritur në çdo vendim – shpie në një frenim të ekstremizmit, sepse asnjë vend anëtar nuk mund të shtyjë përpara politika radikale, pa u sprapsur nga anëtarët e tjerë.
Kjo nuk do të thotë se vendet e BE-së nuk përballen me rrezikun që të bien viktima të retorikës thjeshtësuese populiste. Përkundrazi, më e rëndësishmja është që të nxjerrim në pah, se pse vendet anëtare të BE duhet të përkushtohen për të vazhduar ndërtimin e një bashkimi më të fortë dhe më të thellë. Për hir të Evropës dhe botës, është koha që të vëmë BE-në në plan të parë.
Askush nuk i di më mirë se Europa, pasojat e ekstremizmit dhe nacionalizmit – apo si t’i kapërcesh ato. Me një frymë të iluminuar dhe mbikombëtare, BE ka arritur një paqe të qëndrueshme, që vetëm një vit më parë do të ish dukur e pamundur. Nuk duhet ta humbasë nga sytë këtë arritje. Në vend të kësaj, duhet të vazhdojë të çojë përpara Unionin dhe t’i tregojë botës atë që mund të arrijë multilateralizmi.