Taksa mbi pronën, nis diskutimi publik në Kosovë

Ministria e Financave nisi konsultimin publik me të gjitha palët e interesit për Tatimit në Pronën e Paluajtshme. Në këtë diskutim morën pjesë zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë, Shkëlzen Morina, zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Financave, zyrtarë të komunave të Kosovës, si dhe përfaqësues Helvetas – DEMOS. Krasniqi theksoi se: “Ministria e Financave është duke ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për të siguruar vendosjen e tatimit në të gjithë llojet e pronës së paluajtshme (tokë), por edhe duke kërkuar gjithashtu, përmirësimin e qëndrueshëm të sistemit të tatimit në pronë. Realizimi i këtyre objektivave madhore kërkon pikë së pari, themele të shëndetshme ligjore, të harmonizuara dhe në pajtim me gjithë kuadrin ligjor në fuqi në Kosovë, si dhe në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare”. “Në kuadër të kësaj, Ministria e Financave ka ndërmarrë një nismë tejet të rëndësishme për përmirësimin dhe përshtatjen e të gjithë infrastrukturës ligjore, e cila rregullon e normon procesin e tatimit në pronë, duke iniciuar procesin legjislativ për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit përkatës, duke pasur si qëllim, implementimin e suksesshëm të tatimit në tokë, përmes krijimit të një sistemi modern dhe efikas për mbledhjen e të hyrave nga tatimit në pronë”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.