Shifrat flasin vetë për Interin

Kurrë kaq shumë pikë që prej sezonit të “tripletës”. Fitorja e Interit në Bolonja nuk u ka shërbyer zikaltërve për të festuar golin e Gabriel Barbosës apo për të mbajtur gjallë shpresat për t’u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Tri pikët në “Dall’Ara” kanë qenë “të shenjta” për Stefano Piolin, i cili ka vendosur një rekord modest për Interin post-moratian.
Edhe pse i kanë shërbyer pak (sa i përket pozicionit që mban në renditje) Interi ka grumbulluar plot 48 pikë. Kurrë më parë, duke u nisur që nga sezoni 2009-2010 zikaltrit nuk kishin grumbulluar kaq shumë pikë në 25 javët e para. Në atë edicion, Interi i Murinjos, skuadra që në fund do të ngrinte lart të tri kupat, pas 25 javësh numëronte plot 55 pikë.
Sa u përket sezoneve që ndajnë dy ekipet duhet thënë se, vetëm formacioni i 2010-2011 bëri mirë, duke grumbulluar 47 pikë në 25 javët e para. Një vit më vonë, 2011-2012, zikaltrit grumbulluan 36 pikë, ndërsa në atë pasardhës (2012-‘13) 43. Në edicionin 2013-2014 skuadra milaneze në 25 javë kishte vetëm 40 pikë, ndërkohë që 12 muaj më vonë vetëm 35. Sezonin e kaluar, Interi i Mançinit grumbulloi 45 pikë.
Ecuria e mirë e Interit do t’i shërbejë shumë Piolit edhe në aspektin personal. Zërat që flasin për rinovimin e kontratës me Interin sa vijnë dhe shtohen. Sipas mediave italiane, trajneri ka fituar plotësisht besimin e pronarëve kinezë të Interit. Pak javë më parë u tha se “Mr.Suning” ishte 80% i bindur në aftësitë e teknikut nga Parma, por tani duket se ajo përqindje ka ndryshuar.
Rezultatet e mira të Interit janë në sytë e të gjithëve dhe askush tani nuk po mendon më për pasardhësin e Piolit. Përveç rendimentit të mirë në fushë, Pioli ka kënaqur kinezët, pasi ka ditur që të vlerësojë investimet e tyre. Tani lojtarë si Zhoao Mario dhe Gabigol më në fund po justifikojnë shifrat që kanë shpenzuar zikaltrit për t’i afruar në ekip.