Një përgjigje Ndrikullës së Sorosit në Kosovë

Sali BERISHA

Të dashur miq, gazetarë dhe miq të mi nga Kosova më dërguan një shkrim të kryeredaktores së gazetës “Zëri”, simotrës së “Zërit të Popullit”, të Kosovës, Arbana Xharra, në të cilin ajo ndër të tjera në prononcimin e saj për protestën qytetare të Tiranës shkruante: “Me gjithë kritikat që i kam për Edi Ramën, mendoj që Sali Berisha i ka bërë shumë më shumë dëme Shqipërisë. Në kohën e tij ka lulëzuar kanabisi, ka lidhur marrëveshje me vendet arabe, ka dëmtuar Kosovën në sistemin e energjisë me zvarritjen e ndërtimit të interkonjeksionit 400 kV”…etj.
“Sali Berisha është në gjendje të përmbysë vendin për të ardhur në pushtet”, shkruan Xharra.
Që në fillim, më duhet t’i them me sinqeritet të plotë kryeredaktores së “Zërit”, simotrës së “Zërit të Popullit”, se si përfaqësuese e mafies sorosjane në Kosovë, pra ndrikull netuorki (network-i) ju më nderoni me preferencën e koduar që keni për Ramën! Për këtë keni vetëm përgëzime! Po kështu, në pretendimin tuaj se Berisha për të ardhur në pushtet është në gjendje të përmbysë vendin, mendoj se çdo njeri ka të drejtë të thotë apo të imagjinojë atë që do.
Kurse me akuzat e tjera ajo del si një trilluese ordinere që flet për Shqipërinë si zëdhënëse e asaj mafieje, pavarësisht se dëshmon një injorancë ekzemplare apo flet si për ndonjë ishull të largët të Oqeanisë. Le t’i marrim me radhë.
Ajo shkruan se, “ka dëmtuar Kosovën në sistemin e energjisë me zvarritjen e ndërtimit të interkonjeksionit 400 kV etj”. Lidhur me këtë pretendim mjeran, sqaroj lexuesit se unë kam bërë gjithçka për ndërtimin e autostradës energjetike midis Shqipërisë dhe se gjatë qeverisë së PD është hedhur ideja, është gjetur financimi, është bërë studimi, është bërë projekti dhe është shpallur tenderi, madje dhe fituesi. Por mbi bazën e ankimeve dhe të dhënave operative për korrupsion, është anuluar pasi fituesi ishte shpallur me një ofertë 9 milionë euro më të shtrenjtë se sa kompania tjetër që plotësonte kushtet, por që ishte përjashtuar në mënyrë korruptive, siç faktohej edhe nga dokumente operative. Pas kësaj është shpallur për së dyti tenderi dhe është shpallur fituesi me vlerë 9 milionë euro kursim për taksapaguesit shqiptarë. Fituesi i shpallur është pranuar me unanimitet. Pa dyshim që përsëritja e tenderit mori disa muaj kohë. Por unë kurrë nuk do të pranoja korrupsionin patriotik pasi e konsideroj toksinë për patriotizmin. Në të vërtetë, bazuar në financimin, projektin, tenderin e qeverisë së mëparshme, linja ka përfunduar të paktën që para një viti, por e ka bllokuar Aleksandri si dëshmi e miqësisë me Edi Ramën duke shkelur edhe rregullin ndërkombëtar.
Aleksander Vuçiç kërkon as më shumë dhe as më pak se sa copëza të sovranitetit të Kosovës për të lejuar lëvizjen e lirë të energjisë! Shtoj këtu se zonja apo zonjusha Xharra, që nxjerr Berishën si dëmtues të Kosovës për vonesën e linjës së interkonjeksionit dhe jo Vuçiçin, e zbulon keq veten. Mundet që të mos jenë lidhjet e saj me bosin Vuçiç, të cilin e merr në mbrojtje duke gjetur përgjegjësinë tek unë shkak i akuzave të saj. Unë në të vërtet, personalisht më shumë besoj se ajo duket se ka qenë e blerë nga kompania që donte të gjobiste taksapaguesit tanë me 9 milionë euro.
Lidhur me pretendimin e saj se, “ka lidhur marrëveshje me vendet arabe”, dua t’i them zj/znj Xharra se një fjalë latine thotë: Ignjorantia non est argumentum/Padija nuk është argument!
Çdo marrëveshje e lidhur me çdo vend është bërë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe ligjin ndërkombëtar. Përndryshe Shqipëria gjatë qeverisë së PD u bë anëtare e NATO-s.
Së fundi, lidhur me pretendimin e saj se, “në kohën e tij ka lulëzuar kanabisi”, më duhet të them thjesht se zj/znj Xharra është viktimë e një trillimi të Edi Ramës, të cilin për hir të së vërtetës tani Rama nuk e përsërit. Kjo jo se nuk do, por se me rritjen, sipas matjeve, me 1250 herë të sipërfaqes së mbjellë me kanabis në Shqipëri në vitin 2016, me shpalljen e vendit si Kolumbi e Europës, si prodhues kryesor i kanabisit në Europë etj., etj., ai ka frikë se përveç ndrikull Arbanës, zëdhënëses së mafies sorosiane në Kosovë, atë nuk e beson më njeri. Po rikujtoj këtu vetëm dy fakte.
Për shkak të ndërprerjes së trafiqeve kriminale, pra të drogës dhe të tjera gjatë qeverisjes së mëparshme, Italia hoqi kontrollin e kufirit detar me Shqipërinë. Me këtë nuk them se nuk mbillej kanabis, por mbillej në sasi të tilla saqë trafiku i saj ra në mënyrën më dramatike.
Kurse sot, për shkak të “luftës së madhe” që i ka bërë Rama kanabisit dhe “vyshkjes” së kësaj bime, gjatë qeverisë Rama vetëm në tre ditë të javës që kaloi, në brigjet italiane në tri ngarkesa u sekuestruan 19.5 tonë kanabis dhuratë e Edi Ramës nga Kolumbia e Europës.
Po e mbyll këtë sqarim duke i rikujtuar zj/znj (ndrikull) Xharra se trillimi dhe manipulimi i fakteve nuk është në dinjitetin e një gazetareje që nuk dëshiron të flasë, siç thonë korçarët, “si nëna e Zeqos në majë të thanës”!