Neymar rrezikon 2 vjet burg

Gjykata e Lartë e Madridit ka hedhur poshtë apelimin e paraqitur nga Neymar Jr kundër akuzës që është ngritur ndaj brazilianit për mashtrim fiskal dhe korrupsion. Në këtë mënyrë ylli brazilian sëbashku me babain e tij rrezikojnë një dënim deri në 2 vjet burg dhe një gjobë prej plot 10 milionë eurosh. Denoncimi që bëri fondi i investimeve që zotëronte 40% të kartonit të lojtarit në momentin që Neymar ishte pjesë e Santosit në Brazil, solli hapjen e një hetimi për të sqaruar disa kontrata të fshehta mes Barcelonës dhe Santos-it, përsa i përket shumës së vërtetë që blaugranat paguan për transferimin e 24-vjeçarit në “Camp Nou”.
Barcelona zyrtarizoi blerjen e Neymar përpara disa vitesh për shumën e 57,1 milionë eurove, nga të cilat 40 kishin përfunduar në duart e familjes së futbollistit dhe 17,1 ishin ndarë mes klubit të Santosit dhe fondit të investimeve DIS. Por hetimet e kryera më pas vërtetuan se, vlera totale e operacionit kishte kapur shifrën e 83,8 milionë eurove, pasi dy klubet kishin përdorur disa kontrata të fshehta për të cënuar të drejtat e fondit të investimeve DIS. Por tashmë që mashtrimi është zbuluar dhe apeli ka hedhur poshtë kërkesat e futbollistit, Neymar dhe babai i tij rrezikojnë vërtetë shumë. Mes atyre që mund të dënohen janë edhe mamaja e lojtarit Nadine Gonalvez da Silva, presidenti i Santosit, Odilio Rodriguez dhe ish-numri 1 i Barcelopnës, Sandro Rosell.