Me Ramën nuk mund të ketë zgjidhje institucionale

Për Partinë Demokratike me Ramën nuk mund të ketë asnjë zgjidhje institucionale përveç krijimit të një qeverie teknike, e cila do të garantojë zgjedhje të lira. Nënkryetari i PD, Edmond Spaho tha në një prononcim për mediat se në më shumë se tri vite, ka dështuar përpjekja e opozitës për zgjidhje institucionale me kryeministrin Edi Rama. Ai thotë se zgjedhjet e lira janë një kaos përtej Partisë Demokratike. “Kjo është një kërkesë e panegociueshme dhe nuk rrjedh nga qëndrime kokëforta. Është rrjedhojë e zhvillimeve të 4 viteve të fundit. Mazhoranca nuk ka vullnet për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kulmin e arritëm në Dibër, si dhe në Ersekë. Gjithë liritë dhe të drejtat e qytetarëve që ne i fituam më 20 shkurt 1991 burojnë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse ne nuk kemi rend të vërtetë demokratik, nuk mund të flasim për demokraci reale. Ajo do të mbetet fasadë siç ka ndodhur në 4 vitet e fundit. Nuk është kërkesë e PD-së dhe nuk është luftë për të rikthyer PD-në në pushtet”, tha Spaho. I pyetur në lidhje me një reagim të mundshëm nga LSI, Spaho tha: “Nuk presim zgjidhje të kësaj natyre. I kemi bërë thirrje të gjithë partive politike që t’i bashkohen kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne i bëjmë thirrje çdo force politike që e konsideron të rëndësishëm që procesi zgjedhor të jetë i lirë, t’i bashkohen kësaj kauze. Mendoj se kjo i përket edhe LSI-së”. “Kemi më shumë se 3 vite që jemi përpjekur që këto çështje të zgjidhen në rrugë institucionale. Në maj të vitit të shkuar kemi propozuar një paketë për zgjidhje. Mazhoranca nuk i përfilli ato. Sot thotë se nuk ka mundësi për votim elektronik, pengon në mënyrë të qëllimshme largimin e kriminelëve nga të gjitha nivelet e pushtetit. Mendoj se rrugët institucionale janë ezauruar. Sa kohë që ne morëm një vendim të tillë për protesta do të thotë se komunikimi dhe zgjidhja institucionale me Edi Ramën është e pamundur. Ne kërkojmë që Edi Rama të largohet dhe të krijohet një qeveri teknike që mundëson zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Spaho. Nga ana tjetër, deputetja demokrate, Dhurata Çupi, në një prononcim për mediat deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet deri në krijimin e një qeveri teknike. “Jemi në shtëpinë e lirisë së shqiptarëve, shumica e tyre kanë kaluar një herë në këtë çadër në këto ditë. Basha tashmë është lideri i shumicës së shqiptarëve, që do t’i udhëheqë për një Parlament jo fasadë, për një qeveri jo fasadë dhe për zgjedhje jo fasadë. Ky është trinomi që i mban shqiptarët në këtë shtëpi të lirisë dhe ky është trinomi që do ta mbajë opozitën në këmbë deri në zgjedhje të lira dhe qeveri teknike. Protesta do të vijojë. Me këtë qeveri dhe miliona të paligjshme që qarkullojnë nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ajo. Ndërsa, deputetja demokrate Jorida Tabaku hodhi poshtë akuzat e mazhorancës se opozita po i fshihet reformës në drejtësi dhe argumentoi se Partia Demokratike votoi reformën në drejtësi. Arsyeja e protestës, tha deputetja demokrate, është për të mbrojtur votën. “Mazhoranca që ka bërë grevë urie për të bllokuar procesin e integrimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, këtë nuk duhet ta thotë. Partia Demokratike votoi reformën në drejtësi dhe falë PD-së, sot kemi një Kushtetutë të ndryshuar që i ka hapur rrugë këtyre reformave. Qytetarët më 2013-n, na kanë kërkuar që të mbrojmë votën”, tha Tabaku. Të rinjtë demokratë artikulojnë si një ndër arsyet e protestës ligjin e arsimit të lartë, konfuzionin e krijuar tek maturantët. Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi tha se modeli i Bashës është ndryshe për të gjithë shqiptarët. “Kundër ligjit të arsimit të lartë, një ligj tërësisht klientelist që godet sistemin e meritë-preferencës, një ligj që Partia Demokratike ka më shumë se një vit e gjysmë që artikulohet publikisht edhe nga zt.Basha që brenda javës së parë të tij si kryeministër do të anulojë ligjin dhe do të ketë një ligj të ri që do të reduktojë ndjeshëm tarifat për studentët”, tha Këlliçi.