Isco te Juventus?

Tashmë mediat spanjolle janë të bindura, Francisco Roman Alarcon Suarez i njohur nga të gjithë si Isco do të largohet nga Reali i Madridit në fund të sezonit. Mungesa e hapësirave në formacionin e Los Blancos, me 25-vjeçarin që nuk aktivizohet rregullisht nga trajneri Zidane, ka bërë që Isco të marrë vendimin për të ndërruar skuadër në verë. Për mesfushorin e përfaqësueses spanjolle interesohen tri klube të mëdha Manchester City, Chelsea dhe Juventusi.
Në pole-position për të firmosur me lojtarin qëndrojnë dy skuadrat angleze, por çuditërisht drejtuesit e Realit po e shtyjnë Iscon drejt Juventusit pasi kanë një motiv të qartë për ta bërë diçka të tillë. 25-vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2018-të me klubin merengues, por Isco nuk dëshiron më të ngrohë stolin e rezervave te “Los Blancos” për pjesën më të madhe të ndeshjeve, pasi shpreson të jetë pjesë e Spanjës në Botërorin Rusi 2018-të, dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, futbollisti e di shumë mirë që duhet të aktivizohet në vazhdimësi në një tjetër klub.
Arsyeja e drejtuesve të Realit për ta çuar lojtarin te Juventusi ka të bëjë me faktin se “Los Blancos” interesohen për Paulo Dybala-në dhe për të bërë të mundur kalimin e argjentinasit në Madrid gjatë verës së ardhshme, kërkojnë të përfshijnë në këtë operacion merkatoje edhe kartonin e Iscos, për të ulur disi vlerën e transferimit La Hoya-s në kryeqytetin spanjoll. Juventusi e pëlqen së tepërmi mesfushorin, por tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e Iscos përsa i përket të ardhmes së tij.
E ardhmja e Alvaro Moratas është larg Realit të Madridit. Sulmuesi i klubit “Los Blancos” nuk shihet si titullar nga ana e teknikut Zinedine Zidan, kjo për shkak se versioni më i mirë i sulmuesit tjetër Karim Benzema, është rikthyer dhe jep më shumë siguri në repartin e avancuar, duke ia komplikuar edhe më shumë jetën 24-vjeçarit. Morata u rikthye në Madrid sezonin e kaluar, pas paraqitjeve shumë të mira që bëri me skuadrën e Juventusit, nisur nga ky fakt drejtuesit e klubit vendosën të ushtronin të drejtën e riblerjes së kartonit të tij. Transferimi u favorizua për shkak të marrëveshjes që kishin palët. Spanjolli numëron 28 paraqitje dhe ka realizuar 11 gola, por pavarësisht kësaj ai ende nuk po arrin dot ta largojë nga vetja etiketën e zëvendësuesit.
Rikthimi i Gareth Bale ia zvogëlon edhe më shumë hapësirat Moratës, situatë e papranueshme kjo për 24-vjeçarin, i cili kërkon të ketë më shumë minuta në dispozicion. Kjo kërkesë duket se në radhët e Realit të Madridit nuk i realizohet, si pasojë në merakton e verës vetë spanjolli ndoshta do të kërkojë largimin. Të gjitha gjasat janë që ai sezonin e ardhshëm të veshë një fanellë tjetër dhe kandidaturat nuk mungojnë. Juventus, Paris Saint Germanin, Chelsea dhe Arsenal janë të gatshëm të paraqesin ofertën e tyre për të siguruar shërbimet e bomberit iberik.