Falimenti, shtohen rastet në gjykatë

Numri i bizneseve që kanë paraqitur kërkesë në Gjykatën e Tiranës për të nisur procedurat e falimentimit ka ardhur në rritje. Deri tani, statistikat zyrtare flasin për 30 raste, nga të cilat 7 janë të reja (të nisura në 2 muaj) dhe pjesa tjetër të mbartura nga viti i kaluar. Të paktën në dy vitet e fundit, numri i bizneseve që kanë filluar procedurat e falimentit është në rritje, Në vitin 2014 ishin 22 kompani që kërkuan hapje procesi në gjykatë, ndërsa në 2015-n, numri shkoi në 64. Në total, numri i çështjeve civile në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë llogaritet në 6.835 nga të cilat 1,533 deri tani janë të reja. Duke u gjykuar, në proces falimenti janë emra të njohur kompanish që u përkasin fushave të ndryshme, të tilla si: Volalba (për të cilën ka nisur shpërndarja e detyrimeve ndaj kreditorëve, si dhe është marrë vendimi për procedimin e ankandit të tretë për shitjen me pjesë); Belle Air (në proces dhënie informacioni për inventarizimin e aseteve); por edhe shoqërive të tjera si Arbi -D, AGC-Retail, Valsir etj.  Procedura e falimentit  realizohet përmes: likuidimit, riorganizimit,  ristrukturimit të borxhit për konsumatorët me të ardhura të rregullta,  ristrukturimit të borxhit për subjektet tregtare përmes marrëveshjeve jashtëgjyqësore, të miratuara nga Gjykata e Falimentimit. Kufijtë e zbatimit të ligjit për falimentin: Ndaj çdo debitori, person fizik dhe juridik, Edhe pas prishjes së personit juridik që ende nuk është likuiduar, Ndaj shoqërive tregtare, të thjeshta, sipërmarrëse, tregtarëve si persona fizikë dhe individë, konsumatorë, Ndaj shoqërive me kapital publik ose shtetëror, të organizuara si person juridik privat, Ndaj subjektit që ushtron veprimtari në një sektor publik kur i është hequr licenca, ose nëse nuk rregullohet me ligj tjetër, Nuk zbatohet për shoqëritë e sigurimit, banka, institucionet që grumbullojnë depozita nga publiku, institucionet financiare, Nuk mund të fillojë ndaj subjekteve publike, objekt i së drejtës administrative.