Dekriminalizimi, Llalla: Të tjerë deputetë rrezikojnë mandatin

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka paralajmëruar dje, se emra të tjerë deputetësh me rekorde kriminale e që mund të rrezikojnë mandatin e deputetit pritet të publikohen në ditët në vijim. Kryeprokurori Adriatik Llalla ishte në Fier në kuadër të analizës vjetore të Prokurorisë së këtij rrethi, ku zhvilloi takimin pa praninë e mediave. Llalla tha se Prokuroria po vijon hetimet dhe se mund të dalim emra të tjerë deputetësh me rekorde kriminale, të cilët rrezikojnë mandatin. Pa dhënë emra, ai u shpreh se, ka një numër të madh denoncimesh ndaj zyrtarëve, për të cilët ka nisur hetimi në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Llalla theksoi se emrat do të bëhen publik vetëm, pasi të kenë përfunduar hetimet.
“Procesi i dekriminalizimit është një nga të rëndësishmit që ka nisur. Prokuroria e Përgjithshme ka strukturat e saj të posaçme që merren me hetimet e rasteve. Ka një fluks të madh të denoncimeve nga ana e qytetarëve. Në varësi të të dhënave do vazhdojnë dhe hetimet e rastit. Në vijim do të ketë dhe raste të tjera”, tha Llalla. Aktualisht Prokuroria po heton për 6 deputetë që dyshohet se kanë precedent penalë, ndërsa ka sekuestruar dosjet e tyre në KQZ dhe ka kërkuar shenjat e gishtërinjve të tyre. Kjo kërkesë bëhet për të krahasuar disa të dhëna të mbërritura nga jashtë vendit. Prokuroria iu është drejtuar autoriteteve italiane, Europolit dhe zyrës qendrore të Interpolit për të kaluarën e këtyre 9 zyrtarëve. Dyshohet se disa prej deputetëve dhe krerëve të bashkive kanë kryer vepra të rënda penale në vende të ndryshme të BE-së, që nga trafiku i drogës e deri tek shfrytëzimi për prostitucion.
Nga qyteti i Fierit, Llalla foli dhe për shqetësimin e banorëve të Zharrëzës, të cilëve u janë dëmtuar banesat nga punimet që kryen kompania e naftës “Bankers Petroleum”. Ai theksoi se, shumë shpejt do të nisin hetimet për këtë problematikë. Që prej tre javësh disa banorë janë futur në grevë urie pas indiferencës së shtetit për t’u dhënë ndihmë. Ndërsa la Prokurorinë e Fierit, kryeprokurorin e priste një përfaqësi e banorëve të Zharrëz, të cilët kërkojnë zbulimin e shkakut të lëkundjeve në zonën ku ata banojnë.

A.Shahini