Çfarë do të bëjë Trump me Korenë e Veriut

Yoon Young-kwan

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka reaguar ende ndaj testimit të fundit balistik të Koresë së Veriut dhe shumë vëzhgues po pyesin veten se cila është strategjia e tij. Trump ka deklaruar publikisht se qëllimi i Koresë së Veriut për të pasur raketa dhe armë bërthamore që mund të arrijnë deri në Shtetet e Bashkuara thjesht “nuk ka për t’u realizuar”. Por çfarë do të bëjë ai specifikisht për ta arritur këtë?
Ka nga ata që e kanë këshilluar administratën Trump të lëshojë sulme kundër pajisjeve bërthamore të Koresë së Veriut, por ky është një opsion i rrezikshëm dhe jo efektiv, pasi Korea e Veriut mund t’i kundërvihet Koresë së Jugut si kundërpërgjigje. Koreanojugorët nuk duan të rrezikojnë luftë, ndaj sulmi kundër Koresë së Veriut, nëse niset nga Shtetet e Bashkuara, do të ishte katastrofike për marrëdhënien ndërmjet Koresë së Jugut dhe SHBA-së.
Një tjetër kundërpërgjigje e mundshme ndaj kërcënimit të Koresë së Veriut do të ishin sanksionet më të egra ndërkombëtare, përfshirë edhe bojkotet sekondare, por sanksionet mjaftueshëm të fuqishme për ta detyruar gjeneralin e ri të Koresë së Veriut, Kim Jong-un të mendohet dy herë përpara se të bëjë provokime të tjera, kërkojnë medoemos bashkëpunimin e Kinës dhe arritja e një bashkëpunimi të tillë nuk ka për të qenë e lehtë.
Liderët kinezë mund t’i interpretojnë bojkotet agresive si të drejtuara jo vetëm kundër Koresë së Veriut, por edhe vetë Kinës dhe tani që po afrohet Kongresi Kombëtar i 19-të i Partisë Komuniste, presidenti Xi Jinping nuk do të dojë të shfaqet i dobët përballë presionit amerikan. Nga dy dekadat e fundit të diplomacisë me Korenë e Veriut për çështjet bërthamore, kemi mësuar se për të arritur një rezultat të kënaqshëm, administrata Trump do të duhet të zgjidhë dy dilema të rëndësishme. Ndërkohë që liderët e mëparshëm politikë kanë preferuar t’i fshehin mbeturinat e tyre poshtë tapetit, lidershipi unik dhe jotradicional i Trumpit, së bashku me stilin e tij të negocimit, mund të garantojnë që presidenti të ketë sukses aty ku të tjerët para tij kanë dështuar.
Dilema e parë ka të bëjë natyrisht me Kinën. Çdo përpjekje diplomatike për të çarmatosur Korenë e Veriut nga arsenali bërthamor duhet të lehtësojë edhe shqetësimet gjeostrategjike të Kinës për të ardhmen e gadishullit. Për shekuj me radhë, Kina ka pasur frikë që gadishulli mund të kthehet në një fushëbetejë pushtimi. Liderët e sotëm kinezë kanë të njëjtat shqetësime strategjike rreth gadishullit korean, gjë që shpjegon edhe hezitimin e tyre për të plotësuar të gjitha kërkesat e SHBA-ve për të vepruar kundër Koresë së Veriut. Kina nuk do të rrezikojë që Korea e Veriut të shpërthejë nga brenda si rezultat i sanksioneve. Për shkak se ata i kuptojmë mirë inçetivat e strategjisë kineze, liderët koreanë janë ndjerë të lirë ta zhvillojnë më tej programin bërthamor të vendit.
Trump dhe Xi kanë pasur biseda telefonike dhe së shpejti mund të takohen ballë për ballë. Me shpresën që Trump të veprojë sipas reputacionit që ka si lider guximtar, pritet që ai t’i ofrojë Kinës avantazhe të ndjeshme që lehtësojnë shqetësimet e saj strategjike për sa i përket gadishullit të Koresë.
Në rast se problemi i Koresë së Veriut nuk ndahet veç konkurrencës strategjike ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës, përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë të dështojnë. Kështu, Trump mund t’i premtojë Kinës se administrata e tij nuk do të kërkojë ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut dhe madje të ofrojë garanci sigurie në rast se arrihet marrëveshja e çarmatimit.
Nga ana tjetër, presidenti mund t’i kërkojë Kinës në këmbim që të bashkëpunojë për çështjen e sanksioneve dhe përpjekjeve të tjera për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga ambiciet e saj bërthamore. Me një marrëveshje të tillë, propozimi ekzistues i Kinës për çarmatimin së bashku me traktatin për t’i dhënë fund luftës së Koresë, mund të bëhet më i arritshëm.
Por lehtësimi i shqetësimeve strategjike të Kinës na sjell në dilemën e dytë që qëndron në zemër të ngërçit aktual: siguria e Koresë së Veriut. Në botën brutale të marrëdhënieve ndërkombëtare, një vend i vogël, i dobët dhe i izoluar si Korea e Veriut mund të ndihet lehtë i kërcënuar nga fqinjët, edhe kur ata nuk duan ta dëmtojnë. Për të kompensuar këtë dobësi të perceptuar, vendi përpiqet të forcojë kapacitetin ushtarak dhe kërkon të përvetësojë armë bërthamore. Por kjo kthehet shpejt në një rreth vicioz, sepse fqinjët i interpretojnë këto veprime si provokime dhe fillojnë të ndihen të kërcënuar gjithashtu.
Gjatë fushatës presidenciale, Trump ka thënë se nuk e ka aspak problem të hyjë në diskutime me Kim Jong-un. Ai tani ka mundësinë për ta bërë këtë, duke eksploruar kështu edhe mundësinë e një marrëveshjejeje gjithpërfshirëse me Korenë e Veriut, bazuar në garancitë e sigurisë dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Por presidenti do të duhet ta ndjekë këtë rrugë duke adresuar njëkohësisht edhe shqetësimet kineze. Nëse Trump arrin një marrëveshje me Kinën dhe Korenë e Veriut njëkohësisht, edhe kritikët më të ashpër do të duhet të ndërgjegjësohen për mjeshtërinë e tij.