Benzema i lë vendin Cavanit tek Reali?!

Do të qëndrojë, apo do të largohet Karim Benzema nga Reali i Madridit në përfundim të këtij sezoni. Është kjo një nga dilemat më të mëdha për momentin në shtëpinë e klubit merengues. Trajneri Zinedine Zidane beson shumë te aftësitë e sulmuesit francez, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për presidentin Florentino Perez, të cilit i është sosur durimi nga paraqitjet e Benzema në këtë sezon dhe po mendon seriozisht ta largojë 29-vjeçarin, për të afruar në skuadër një tjetër bomber. Sipas mediave të ndryshme presidenti i Realit ka patur sëfundmi një takim me numrin 1 të Paris Saint Germain-it, Nasser Al-Khelaiffi, me të cilin ka disktuar për një shkëmbim të mundshëm sulmuesish.
Nëse gjithçka realizohet Karim Benzema do të kalojë te kampionët në fuqi të Francës, ndërkohë që Edinson Cavani do të përshkojë rrugën e kundërt për të veshur fanellën e bardhë të Realit. Uruguaini është sulmuesi që ka realizuar më shumë gola në Europë gjatë këtij sezoni dhe Perez, shikon te El Matador përforcimin ideal për repartin e avancuar të Los Blancos. Ndërkohë në krahun tjetër, drejtuesit e Parisit e pëlqejnë sëtepërmi, Benzema-në dhe nuk janë kundër transferimit të ish-lojtarit të Lyonit në Parc Des Princes. Francezi ka humbur besimin e tifozëve të Realit, ndërkohë që Cavani gjithmonë ka qenë në axhendën e Realit të Madridit. Gjasat janë që ky operacion merkatoje të realizohet me sukses, por gjithçka mbetet për t’u parë.