Basha me eurodeputetin: S’ka zgjedhje me krimin

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi mbrëmë pas takimin me raporterin e PE për Shqipërinë, Knut Fleckeinstein se, e vetmja rrugë që garanton kthimin e opozitës në Parlament është një pakt kombëtar për një qeveri që do të sigurojë zgjedhje të lira. Basha foli në një prononcim dje pas takimit me raporterin Fleckeinstein, ndërsa tha se i kishte përcjellë europarlamentarit vendosmërinë për t’i shkuar vendimit opozitar dhe qytetar deri në realizimin e qëllimit të tij.
“I komunikova vendimin që kemi marrë me qytetarët shqiptarë për të mos u zmbrapsur nga beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike, ku partitë politike të shprehin vullnetin për të punuar së bashku. Kjo nuk mund të ndodhë me këtë qeveri, nuk mund të ndodhë me këtë kryeministër, ndaj PD, opozita është e bashkuar rreth këtij qëllimi, është e vendosur të jetë me qytetarët dhe pranë qytetarëve shqiptarë deri në realizimin e këtij qëllimi”, tha Basha.
Kreu i PD tha se opozita nuk do të bëhet pjesë e një Parlamenti fasadë e aq më tepër të lejojë që zgjedhjet të organizohen nga duart e krimit të organizuar dhe drogës.
“Këto janë çështjet që bisedova me zotin Fleckeinstein, duke shpjeguar natyrisht edhe bashkë me pozicionin tonë edhe rast pas rasti problematikën e thelluar të krimit, të drogës, vetëm javën e fundit shifrat janë të frikshme, të kapjes së drogës në Itali, e cila është një sasi e vogël e asaj që nuk kapet, të milionave e milionave në duart e krimit të organizuar të bërë njësh me pushtetin. Në këto kushte, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, përveçse një qeverie teknike që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vendimin e opozitës për të mos qenë pjesë e një Parlamenti fasadë deri në momentin ku partitë politike në atë Parlament, por edhe partitë politike jashtë atij Parlamenti të jenë pjesë e një pakti kombëtar për një qeveri teknike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.

– Zoti Basha, si u prit fakti që ju keni bojkotuar jetën parlamentare, duke patur parasysh një deklaratë të mëngjesit të zotit Fleckeinstein sipas të cilit do të ishte mirë që anëtarët e Parlamentit gjithçka ta diskutojnë në Parlament. Sa mund ta dëmtojë kauzën e opozitës për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme debati i zhvilluar jashtë Parlamentit nga pikëpamja kushtetuese dhe politike gjithashtu?
Unë i komunikova zotit Fleckeinstein, jo thjesht vendimin e opozitës, por edhe bindjen time të thellë se me këtë Parlament të padekriminalizuar, në këtë Parlament fasadë opozita nuk ka vend sa kohë që prioriteti jetik i shqiptarëve për zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në rrezik. Ne do të kthehemi në Parlament vetëm në momentin kur të gjithë faktorët politikë do të marrin përsipër përgjegjësinë para shqiptarëve, për t’i dhënë shqiptarëve një qeveri që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

– Çfarë tha zoti Fleckeinstein për këto kërkesa të opozitës për të negociuar në mënyrë që me mazhorancën së bashku të siguroni standardet që ju kërkoni për zgjedhjet e lira dhe të ndershme….
Zoti Fleckeinstein nuk ka ardhur në Shqipëri për të negociuar. Ai është këtu në cilësinë e raporterit për Shqipërinë. E falënderova për rezolutën e Parlamentit Europian, e cila flet qartësisht për drogën, për krimin e organizuar, për nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të ardhmen e Shqipërisë. Detyra ime dhe kënaqësia ime ishte ta informoja atë për zhvillimet e fundit, për qëndrimet e opozitës dhe për vendosmërinë tonë për t’i shkuar deri në fund kauzës kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

– Sa mund ta pengojë reformën në drejtësi që opozita nuk do të jetë në Parlament duke patur parasysh dhe angazhimin maksimal të faktorëve ndërkombëtarë për të investuar në këtë reformë?
Partia Demokratike është krenare për kontributin që ka dhënë për reformën në drejtësi, duke miratuar paketën kushtetuese për reformën në drejtësi. Mazhoranca Rama-Meta premtoi se 7 ligjet organike do të bëheshin me konsensus me opozitën. Ajo e shkeli konsensusin të dhënë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe sot nuk ka se si ta drejtojë gishtin nga opozita, sepse nuk u vetëpërjashtuam. Ishte mazhoranca Rama-Meta që përjashtoi opozitën, në shkelje të premtimit të bërë nga hartimi i 7 ligjeve. Por sot, prioriteti jetik i shqiptarëve janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe rruga e vetme për të garantuar këtë, si dhe për të garantuar kthimin e opozitës në Parlament është një pakt kombëtar për një qeveri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

– Por a do të pengohet reforma në drejtësi z. Basha duke patur parasysh afatet që përcakton reforma kushtetuese?
Dua ta keni shumë të qartë se reforma u pengua në momentin kur 7 ligjet, në kundërshtim me premtimin dhe angazhimin e marrë para partnerëve ndërkombëtarë u kaluan duke përjashtuar opozitën. Kur e përjashton opozitën, çfarë i kërkon pastaj? Ne jemi përjashtuar që prej shtatorit, nga ky aspekt i reformës në drejtësi dhe sot 4 muaj para zgjedhjeve, prioriteti jetik i shqiptarëve, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon që ky Parlament me opozitën brenda të marrë pikë së pari vendimin për një qeveri që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

– A do të pranojë PD zgjidhje tjetër përveç qeverisë teknike?
Jo. PD nuk mund të pranojë asnjë fasadë, e cila do të sjellë përsëri zgjedhje të manipuluara, zgjedhje të kapura nga krimi, zgjedhje me kriminelë ne nuk do të pranojmë. Ky është një vendim jo thjesht i PD, jo thjesht i opozitës, është një vendim i madh i qytetarëve, një konsensus që sa vjen edhe rritet, që kalon kufijtë e PD apo të opozitës. Sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe largimi i kriminelëve nga politika, jam i sigurtë është edhe aspirata e çdo socialisti dhe socialisteje të ndershëm dhe çdo shqiptari të ndershëm. Ndaj ne nuk do të pranojmë asnjë zgjidhje fasadë. E vetmja zgjidhje është një qeveri e vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ka dy rrugë: Ose do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie që i garanton ato, ose populli e qytetarët do të vazhdojnë qëndresën derisa kjo të bëhet realitet.

– Me opozitën apo pa opoziën?
Nuk do të ketë zgjedhje! Zgjedhje nuk do të ketë. PD, opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, nuk do të lejojë zgjedhje me krim, korrupsion dhe drogë. Ky është një vendim i marrë dhe ne kësaj do t’i shkojmë deri në fund.