Shifra alarmante, 2033 aksidente me 269 të vdekur gjatë vitit 2016

Viti 2016 ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve rrugore në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Shifrat e frikshme janë publikuar nga vetë qeveria. Kështu, të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë së gjatë vitit që shkoi në Shqipëri kanë ndodhur 2033 aksidente në rrugë, ku 269 persona kanë humbur jetën si pasojë e tyre.
Në analizën e INSTAT, qarku i cili rezulton më i prekur nga aksidentet është kryeqyteti, i pasuar nga Durrësi dhe Shkodra. Grupmosha që ka numrin më të lartë të aksidenteve është ajo e re, ku përfshihen dhe persona, të cilët nuk lejohet të drejtojnë mjetin. Mosha 16-25 vjeç ka qenë shkaktare për 31 aksidente vetëm gjatë janarit.
Në muajin e parë të këtij viti, numri i aksidenteve në rrugë është ulur krahasuar me janarin e një viti më parë, por bilanci i viktimave mbetet i njëjtë. Sipas të dhënave, çdo vit 9 persona humbin jetën nga aksidentet për një rreth prej 100 mijë banorësh.
Ndërkohë, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë të përpunuara në Indeksin e Shëndetit të Konsumatorëve e rendisin vendin tonë të katërtin në Europë sa i përket vdekjeve nga aksidentet. Shqipëria renditet pas Letonisë, Greqisë dhe Lituanisë, duke u renditur mes 5 vendeve që janë në zonën e kuqe të rrezikut.
Nga vendet e rajonit, numrin më të ulët të vdekjeve e dëmtimeve nga aksidentet e ka Serbia me rreth 6 dëmtime për 100 mijë banorë. Në Europë, vendet ku ndodhin më pak aksidente me vdekje, janë Malta, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Holanda, Danimarka, Zvicra, Norvegjia. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë aksidentet rrugore shkaktojnë rreth 1.3 milionë të vdekur në vit, çka do të thotë se një person vritet çdo 25 sekonda.

158 u aksidentuan në muajin janar

158 persona u aksidentuan përgjatë muajit janar të këtij viti. Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit, ky numër është ulur, në krahasim me janarin e një viti më parë, ku u aksidentuan 202 persona. Numri mesatar i personave të vdekur gjatë muajit janar është 22 dhe krahasuar me mesataren e personave të vdekur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 1,8%.
Sipas INSTAT, të total janë 119 aksidentet rrugore të ndodhura përgjatë janarit, një ulje me 20,1%, në krahasim me janarin e një viti më parë.
Në 83% të rasteve, aksidentet rrugore sipas INSTAT, kanë ndodhur nga sjellja e drejtuesit të mjetit, ndërsa numri më i lartë i aksidenteve, 26,1%, është kryer nga grup mosha 16-25 vjeç. Në janar 2017, numri mesatar i të aksidentuarve, vdekur apo plagosur, për 100.000 banorë ishte 5 persona, krahasuar me mesataren e vitit 2016, ky numër u ul me 31,8%.