Ballina Politikë BE-OSBE, shqetësim për zgjedhjet në Shqipëri

BE-OSBE, shqetësim për zgjedhjet në Shqipëri

Megjithëse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe pret hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, Brukseli zyrtar ka shprehur shqetësime për parregullësi në zhvillimin e zgjedhjeve të qershorit 2017.
Kështu shkruan media gjermane “Deutsche Welle” në komentin e saj për protestën e opozitës më 18 shkurt.
Po ashtu, në vitin 2015, vazhdon më tej artikulli, OSBE i kërkoi Shqipërisë “të rrisë pavarësinë dhe profesionalizmin e komisioneve zgjedhore, të rishikojë legjslacionin zgjedhor e të eliminojë paqartësitë e boshllëqet në të, të forcojë sistemin zgjedhor, të rishohë rregullat financiare të fushatave elektorale dhe të përmirësojë sistemin e regjistrimit të votuesve.
Deri më tani, asnjë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk është realizuar. Puna në komisionin e reformës zgjedhore vazhdon, por me ritme të ngadalta. Po ashtu, votimi elektronik, kërkesë kjo e opozitës, u hodh poshtë nga kryetari i KQZ-së Denar Biba. Sipas zotit Biba, nuk ka kohë mjaftueshëm për të vendosur teknoligjinë e nevojshme për votim elektronik.
Qeveria Rama, në kundërshtim me rekomandimet e OSBE-së, ka propozuar pak javë më parë, një projektligj që parashikon mbylljen e të gjithë portaleve online të paregjistruar gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
Në monologët e tij të së dielës, Kryeministri Rama shpeshherë i ka quajtur gazetarët e portaleve, ato që kritikojnë qeverinë, “politikanë të dështuar që janë plot mllef dhe hakmerren për dështimin e tyre studio më studio, portal më portal, duke u shfaqur me maskën e analistit”.
Në kundërshtim me deklaratat e zotit Rama, në përfundimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 2015-ës, në kapitullin ku flitej për median, e vetmja gjë e cila vlerësohej pozitivisht ishte pikërisht pavarësia dhe këndvështrimi ndryshe i disa portaleve online.
Në raportin e OSBE-ODIHR shkruhej:
“Megjithatë, nuk ka ndërhyrje në lirinë e internetit dhe lajmet në internet gjithnjë e më shumë ndihmojnë në pluralizëm, për shkak të autonomisë së tyre më të madhe editoriale dhe hapësirës për këndvështrime alternative”.

Exit mobile version