Shembulli i rezistencës rumune

Judy Dempsey

Si një reportere gjatë viteve 1980, kur lideri komunist i Rumanisë, Nicolae Ceausescu e drejtonte vendin me grushtin e hekurt, më kanë ngelur në mendje dy kujtimet më të tmerrshme nga vuajtjet e shumta që i janë shkaktuar popullit rumun deri tani: frika dhe privimi. Ata që ishin aq të guximshëm për të folur me gazetarët e huaj kërkonin vërtet të tregoheshin kurajozë, por e dinin mirë se rrezikonin të ndëshkoheshin rëndë. Ata që kërkonin perime të freskëta apo mish do të duhet të qëndronin për orë të tëra në radhë në tregun e vetëm të Bukureshtit ose të jepnin ryshfete të majme për të përfituar disa ushqime bazë. Mbi të gjitha, energjia elektrike për të gatuar, për t’u ngrohur e për të pasur ujë të ngrohtë, racionohej në vetëm disa orë në ditë.
Në një natë të errët dimri në fund të vitit 1988, ndodhesha përballë derës së një shtëpie rumune. Zonja e vjetër që jetonte aty, e cila kishte vuajtur burgim gjatë viteve 1950, më pëshpëriti nga mbrapa derës: “Të lutem, mos më bëj pyetje të tjera. Mos eja më këtu. Largohu. Nuk mund të flas dot më. Kam shumë frikë”. Kur u ktheva në hotelin tim, një nga vendet e pakta ku mund të haje diçka, zbulova se asistentim tim e kishin sulmuar. Ishte koha kur Securitate, Policia sekrete e Shtetit, deshifronte dhe kontrollonte çdo fjalë që gazetarët dërgonin për shtyp.
Pothuajse tri dekada më pas, qindra mijëra rumunë kanë dalë në rrugë për të protestuar tashmë prej dy javësh dhe po shfaqin me kënaqësi që frika dhe privimi tashmë janë zhdukur prej tyre. Ata kanë demonstruar rezistencë dhe vendosshmëri për të përfunduar me sukses transformimin e vendit të tyre. Në një kohë kur sistemet e kontrollit dhe balancës në Hungari dhe Moldavi, Ukrainë dhe Poloni janë duke u vënë në provë, rumunët duan me doemos të parandalojnë kthimin prapa. Ata duhet të shihen si vlerë e shtuar e Europës.
Gjatë dhjetë viteve pasi vendi është anëtarësuar në Bashkimin Europian, shoqëria civile ka lulëzuar në çdo cep të Rumanisë. Individët, veçanërisht të rinjtë, tani ndihen më të fuqizuar. Anëtarësimi në BE i ka dhënë rumunëve një mundësi për të udhëtuar dhe punuar në vendet anëtare europiane dhe të shohin me sytë e tyre se si funksionon llogaridhënia e shtetit përballë popullit, përgjegjësia që duhet të mbajë për mirëqenien e qytetarëve.
Por pavarësisht arritjeve të mëdha, si eklipsimi i frikës dhe privimit, të zëvendësuar tashmë nga liria, Rumania nuk ka arritur ende të çrrënjosë korrupsionin e ngulitur thellë në kulturë. Pikërisht për këtë protestonin rumunët. Ata duan t’i japin fund kulturës politike të ryshfetit dhe të zhdukin elitën politike që beson tek paprekshmëria dhe pandëshkueshmëria, me politikanët që miratojnë ligje vetëm për të mbrojtur interesat e tyre.
Dekreti që i tërboi aq shumë rumunët ishte një ligj emergjent i nxitur nga Partia Social Demokrate në pushtet. Nëse ai do të ishte implementuar, legjislacioni do të kishte dekriminalizuar korrupsionin poshtë vlerës së 45 mijë eurove, e cila është një shumë monetare aspak e vogël në Rumani. Dekreti do të shfajësonte automatikisht liderin e partisë, Liviu Dragnea, i cili po përballet me akuza të mashtrimit në vlerën 24 mijë euro. Ai nuk është i vetmi.
Më 5 shkurt, qeveria e tronditur nga protestat masive popullore, u tërhoq nga miratimi i dekretit, por do t’i paraqesë Parlamentit një draft të amenduar të tij. Protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Sorin Grindeanu, nuk u dorëzuan me aq. Këtë radhë ata nuk u mashtruan sepse kanë parë shpesh se si Parlamenti ka shkelur rregullin e ligjit me dy këmbët.
Kjo ishte arsyeja përse Klaus Iohannis u zgjodh president në vitin 2014. Ai drejtoi fushatën e çrrënjosjes së korrupsionit dhe të forcimit të rregullit të ligjit. Megjithatë, edhe pse Iohannis përpiqet t’i qëndrojë premtimeve, influenca e tij nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar kulturën e elitës.
Në vitin 2007, Komisioni Europian vendosi Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit (CVM) për të adresuar mangësitë dhe defektet e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit. Në raportin e tij të fundit të progresit të Rumanisë pas hyrjes në fuqi të këtij mekanizmi, i publikuar vetëm pak ditë para protestës, komisioni vlerësonte një nga dobësitë më të mëdha që po pengonte rregullin e ligjit. “Praktika legjislative lejon futjen e papritur të ndryshimeve në Parlament, duke anashkaluar rregulloren dhe konsultimet, gjë që e bën të vështirë demonstrimin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit”, shkruan komisioni.
CVM ka patur impakt mjaft të madh gjatë këtyre viteve të fundit. Por Bianca Toma, analiste në Qendrën rumune për Politikat Europiane, tha se komisioni duhet të ndërhyjë më shumë nëse kërkon të bëjë diferencë në luftën antikorrupsion. “Njësitë mbikëqyrëse duhen ngritur për të kontrolluar mënyrën se si shpenzohen fondet e BE-së”, thotë ajo. “Dhe shoqëria civile duhet të jetë më vigjilente”.
Megjithatë, pyetja është përse korrupsioni është kaq prevalues në Rumani. Toma beson se ekzistojnë akoma reminishencat e kohëve të vjetra të Ceausescut, edhe sot pas 30 vitesh. “Rrjetet ekonomike, mediatike dhe politike janë po ato të asaj kohe”, shpjegon ajo, “dhe në nivel lokal, punonjësit publikë individualë kanë frikë të flasin. Kanë frikë se hiqen nga puna. Sistemi gjyqësor nuk është i pavarur në qytetet më të vogla dhe fshatrat”.
Vala e fundit e protestave masive antiqeveritare në Rumani nuk u kufizua vetëm me kryeqytetin. Lëvizjet e shoqërisë civile janë duke u përhapur me shpejtësi dhe kanë vetëm një program të përbashkët. Vendet e tjera europiane që vuajnë situatën e ngjashme të Rumanisë duhet të marrin shembullin dhe kurajën e vendosshmërisë popullore për të kërkuar forcimin e rregullit të ligjit në vendet e tyre, pa pritur që situata të përkeqësohet.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI